Kryedemokrati Lulzim Basha i bëri thirrje anëtarëve të Partisë Demokratike, gjatë takimit me anëtarët e Degës 2 në Tiranë, të zgjedhin të ardhmen.
Basha tha se ka vetëm një opozitë reale në Shqipëri, që është Partia Demokratike dhe përballë saj ndodhen bashkë Edi Rama, Sali Berisha e Ilir Meta, të cilët po punojnë për ta shkatërruar atë.
“ Sfida të cilat na kanë përballur me zgjedhje jo të lehta, na kanë rezervuar shpeshherë fate të hidhura, na kanë vendosur përpara vendimeve të vështira, por sa herë kemi ditur të zgjedhim interesat e Shqipërisë të parat, aq herë Shqipëria është përgjigjur duke na e kthyer atë me besim dhe me votë e duke na besuar drejtimin. Sigurisht e sotmja nuk një ditë përkujtimore dhe nuk është një ditë për t’u marrë gjatë me këto 30-vite sepse ato kanë brenda dritë, dritë që nuk mund ta sillte askush tjetër përveç demokratëve. Në çdo aspekt, që në rrëzimin e diktaturës edhe nga anëtarët e kësaj dege shumë prej familjarëve të të cilëve e kanë pësuar në qeli, me tortura deri kanë humbur anëtarë të familjeve të tyre në përballje me diktaturën dhe me reminishencat e diktaturës e deri tek zhvillimi ekonomik, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave.
Por kemi padiskutim edhe gabimet tona, një pjesë të përgjegjësive për ato premtime të pambajtura si fjala bie në raport me dy shtresa shumë të rëndësishme që nuk kanë ku të përplasen tjetër, nuk kanë shtëpi tjetër, janë pa shtëpi në qoftë se Partia Demokratike nuk është shtëpia dhe çatia e tyre, të përndjekurit dhe pronarët. Apo në raport edhe me çështje të tjera që i kemi marrë përsipër e nuk i kemi çuar në fund apo për të cilat kemi marrë kosto të madhe para qytetarëve, një pjesë e përgjegjësive dhe përgjegjësve qëndronin në radhët tona, jo vetëm në radhët tona se ne nuk i kemi pasur problem t’i kemi në radhët tona për sa kohë tregonin pendesë dhe për sa kohë që partia të bëhej mburojë para ligjit për ta. Në zonat informale ku na thonin “ku e keni legalizimin që na e premtuat?!”. Tek pronarët që na thonin “ku i keni pronat që na i premtuat?!” Tek të përndjekurit, tek sipërmarrja. E pra miqtë e mi, dy gjëra i dimë fare mirë: Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh.
Dhe të ndryshosh në mënyrë të rregullt, do të thotë t’i afrohesh perfeksionit. Ne e kemi nisur këtë ndryshim dhe jemi të vendosur ta çojmë deri në fund. Po ky ndryshim nuk mund të jetë i plotë, pa u shkëputur nga vargojtë e të shkuarës. Dhe për këtë, askush në këtë sallë nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël. Askush jashtë kësaj salle, që shikon tek ju, ka sytë tek lidershipi i degës 2, nuk duhet të ketë, iluzionin më të vogël. Sepse në këtë moment, kur kemi thënë zgjedhim të ardhmen dhe ecim përpara, çdo hap pas, është jo thjesht gabim, por mund të jetë fatal. Jo thjesht për interesat tona si demokratë, por për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ju po e shihni, ditë pas dite, mbrëmje pas mbrëmjeje. Përballja është e qartë, në Shqipëri ka vetëm një opozitë, kundër qeverisë më të korruptuar që ka njohur vendi në 30 vite, qeverisë më të korruptuar të Ballkanit, siç e nxori prapë raporti i fundit ndërkombëtar i Transparency Internacional. Ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një, jo dy. Ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët janë bërë bashkë.
Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit, është një vendosmëri në rritje e demokratëve, një vetëdije në rritje të demokratëve. Kjo parti, quhet Partia Demokratike, ka kaluar edhe periudha të vështira, por përbëhet nga demokratë.
Çfarë na mbledh këtu të gjithëve ne bashkë? Shqetësimi për gjendjen ku është Shqipëria, vetëdija që nuk ka opozitë tjetër përveç Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe besimi se do t’ia dalim në krye, në këtë betejë që nuk bëhet për hallet tona personale, nuk bëhet as vetëm për interesat politike të Partisë Demokratike, bëhet për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ndaj, nuk ka rrugë tjetër përveç suksesit dhe fitores. Kemi thënë zgjedhim të ardhmen. Çfarë do të thotë Zgjedhim të Ardhmen? Sot, në këtë fillim të ftohtë të një viti, pas një viti shumë të mbrapsht për Shqipërinë, në kuptimin e shëndetit, në kuptimin e ekonomisë, në kuptimin e demokracisë së rrënuar nga masakra zgjedhore e 25 prillit, në kuptimin e plagëve në trupin e familjeve shqiptare. Që nga papunësia, tek varfëria, tek emigracioni, në kuptimin e hapave pas, apo katastrofës le ta themi më mirë, që ka mbërthyer shëndetësinë, arsimin, mbështetjen ekonomike”, tha Basha.