Publikohet lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetarë bashkie për 6 njësi të qeverisjes vendore.
Procesi do të zhvillohet më datë 6 mars 2022.
Ministria e Brendshme njofton se njësitë vendore ku do të mbahen këto zgjedhje janë:
- Bashkia Shkodër, qarku Shkodër;2. Bashkia Dibër, qarku Dibër;
3. Bashkia Durrës, qarku Durrës;
4. Bashkia Vorë, qarku Tiranë;
5. Bashkia Rrogozhinë, qarku Tiranë;
6. Bashkia Lushnjë, qarku Fier.
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote.
10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë.
135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.
941 është numri i qendrave të votimit.
Çdo qytetar është i lutur të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve ndërsa për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative.
Lista përfundimtare e zgjedhësve përmbyll kështu procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DGJC në çdo bashki, ashtu sikurse deri më tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor, që rrjedh nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.
Ftojmë qytetarët të aplikojnë apo rinovojnë ID kartat e skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që do të përdoret për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 për pushtetin vendor.
Lista online e zgjedhësve, për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi vendore.