Dalin detaje të reja nga vrasja në fshatin Manati, pak kilometra larg Lezhës.
Mësohet se viktimë ka mbetur Lekë Lekëgjonaj, 65 vjeç.
Autori është identifikuar si 17-vjeçari Florian Përvathi, i cili u vetëdorëzua në polici pak minuta pas krimit.
Motivi i ekzekutimit është gjakmarrja.
Babai i Florian Përvathi është vrarë rreth 10 vite më parë pas një konflikti me vëllain e viktimës së sotme, Ndue Lekëgjonaj.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës.
Sekuestrohet dhe arma e krimit.
Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit F. P.
17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin L. L., 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.