Prej vitesh në Shqipëri po lulëzon një biznes mjaft fitimprurës, kalimi i emigrantëve përtej kufirit. Nga njoftimet e policisë vijnë periodikisht të dhëna për arrestimin e shqiptarëve që ndihmojnë emigrantët të kalojnë tranzit në kufirin tonë. Por së fundmi ka ndodhur një ngjarje përtej të parashikueshmes.
Plot 30 emigrantë nga Lindja e Mesme janë mbajtur peng në Laprakë nga një shqiptar dhe dy shtetas të huaj. Ata kërcënonin familjarët e tyre se nëse nuk dërgonin paratë, nuk do t’i linin të lirë.
Ata janë privuar nga liria duke u mbajtur peng në një banesë në zonën e Laprakës që ishte përshtatur si hotel.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Just in time”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Mentor Kuka 40 vjeç, banues në Tiranë, Muhamed Emin 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Zakaria Dervish., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok.
Njoftimi i policisë:
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Just in time”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Sektorin e Forcës Operacionale dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Vihen në pranga 3 shtetas që mbanin në banesë emigrantët e paligjshëm. Procedohen penalisht edhe 14 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe me Sektorin e Forcës Operacionale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës, po mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj, organizuan dhe finalizuan operacionin “Just in time”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.