Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta ka kërkuar pezullimin e procesit të Fiskalizimit, pasi sipas tij rrezikohen të dhënat e bizneseve, sidomos pas skandalit që doli të nxjerrjes së pagave të mbi 600 mijë qytetarëve shqiptarë.
Ndërkohë një ditë pas kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.
Kjo e fundit është shprehur se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të çuar deri në fund Reformën madhore të Fiskalizimit, me qëllim mbledhjen e drejtë të taksave, reduktimin e evazionit fiskal, si dhe rritjen e të ardhurave.
Gjithashtu Ibrahimaj i është përgjigjur dhe Kreut të Shtetit duke e garantuar se të dhënat e bizneseve janë të mbrojtura, pasi në rrjedhjen e të dhënave për rrogat, nuk pati asnjë cënim ndaj sistemeve të ngritura nga AKSHI, por vetëm një ndërhyrje individësh nga brenda.
“I rikujtojmë me këtë rast Presidentit se në rrjedhjen e të dhënave për pagat, nuk pati asnjë cënim ndaj sistemeve të ngritura nga AKSHI, por vetëm një ndërhyrje individësh nga brenda, të cilët për qëllime ende nën hetim penal të thelluar, shpërdoruan detyrën e tyre.
Lajmi i mirë është se drejtësia po bën punën e saj, duke dhënë një mesazh të qartë për këdo që luan me të dhënat e shtetasve”, ka thënë ministrja ndër të tjera.
REAGIMI I PLOTE
Mbështetja ndaj nismave të biznesit është gjithmonë pozitive dhe ndihmon në krijimin e një fryme bashkëpunimi që i shërben mbi të gjitha zhvillimit ekonomik të vendit. Ndërsa kamuflimi si “mbështetje” ndaj biznesit i luftës politike ndaj qeverisë me insinuata që nxisin pasiguri, nuk ndihmon askënd dhe sigurisht cënon rolin kushtetues të Presidentit të Republikës. Por kjo nuk është diçka e re, fatkeqësisht!
Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë siguroj se qeveria shqiptare, mbetet e angazhuar për të çuar deri në fund Reformën madhore të Fiskalizimit, me qëllim mbledhjen e drejtë të taksave, reduktimin e evazionit fiskal, si dhe rritjen e të ardhurave.
Për t’i ardhur në ndihmë biznesit, si dhe për zbatimin sa më të lehtë dhe korrekt të kësaj reforme transformuese, ndërmorëm dy shtyrje afatesh: Akti Normativ nr. 27(shtyrja deri në 1 janar 2022 ) dhe Akti Normativ nr.36 (shtyrja deri në 30.6. 2022 ).
I rikujtojmë me këtë rast Presidentit se në rrjedhjen e të dhënave për pagat, nuk pati asnjë cënim ndaj sistemeve të ngritura nga AKSHI, por vetëm një ndërhyrje individësh nga brenda, të cilët për qëllime ende nën hetim penal të thelluar, shpërdoruan detyrën e tyre.
Lajmi i mirë është se drejtësia po bën punën e saj, duke dhënë një mesazh të qartë për këdo që luan me të dhënat e shtetasve.