Disa prej banorëve të 5 majit të cilët kundërshtuan efektivët gjatë shembjes së shtëpive të tyre ditën e sotme janë proceduar penalisht.
Policia e Tiranës bën të ditur se kanë proceduar penalisht 4 banorë, konkretisht, E. M., 41 vjeç, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”; K. L., 40 vjeç dhe L. M., 30 vjeç dhe Z. N., 38 vjeçe, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Njoftimi i plotë:
Gjatë zbatimit të VKM me Nr. 533, të nisur mëngjesin e sotëm për prishjen e disa objekteve në zonën e “5 Majit”, një grup banorësh kanë kundërshtuar dhe nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 proceduan penalisht shtetasit:
– E. M., 41 vjeç, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”;
– K. L., 40 vjeç dhe L. M., 30 vjeç dhe Z. N., 38 vjeçe, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Këta shtetas, në rrugën “5 Maji” kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke treguar mosbindje ndaj urdhrave të tyre dhe duke i penguar në zbatimin e detyrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.