Agjencia për Media dhe Informim do t’i ketë zyrat në sallën e konferencave “A” dhe disa zyra të tjera në mjediset e Pallatit të Kongreseve, sipas një vendimi të fundit të qeverisë.
Vendimi për krijimin e kësaj agjencie u mor në muajin shtator, ndërsa gazetarët argumentonin se do të minohej fjala e lirë dhe shprehja e mendimit, si dhe do të implementohet përdorimi i propagandës. Por qeveria siguroi se asgjë nga pretendimet nuk është e vërtetë dhe se lira e shprehjes nuk do të cënohet.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONFERENCAVE “A” DHE TË ZYRAVE ME NUMRAT 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, VERI, NË MJEDISET E PALLATIT TË KONGRESEVE, AGJENCISË PËR MEDIA DHE INFORMIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë, apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri, në mjediset e Pallatit të Kongreseve (në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare), Agjencisë për Media dhe Informim, për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
2. Tarifa e qirasë së sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri është në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia për Media dhe Informim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ