Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka komentuar vendimin për kufizimin e orarit të automjeteve të tonazhit të lartë, duke përfshirë edhe betonieret.
Ai deklaroi se ka patur presione nga shoqata e ndërtuesve, që e kanë paralajmëruar se do ta hedhin në gjyq.
Por Veliaj u shpreh i bindur se nuk do të tërhiqet nga vendimi i tij për betonieret.
“Këto janë vendime që janë marrë për të mirën e qytetit. Ndaj nuk besoj se ka gjyqtarë që i ka marrë koka erë sidomos që tani çdo gjyq e çdo seancë inspektohet dhe pastaj shkon edhe përpara organeve të tjera të drejtësisë që do të vazhdojë ti japë të drejtë betoniereve dhe kamionëve për sa kohë që qyteti ka zgjedhur një kryetar bashkie, një administratë dhe drejtues policie e kemi ekspertë të huaj që tregojnë se ky vendim është i drejtë.
Kështu që gjasat që unë ta ndërroj këtë vendim është zero, edhe pse shumë ndërtues janë prezent në media. Por më rezulton se u bënë 6 vjet e nuk ka funksionuar ky lloj presioni, prandaj sa më shpejt të pranojnë rregullat e bashkëjetesës aq më mirë do të jetë për të gjithë”, deklaroi Veliaj.
Gjithashtu ai theksoi se vendimi për kufizimin e lëvizjeve është marrë edhe duke u bazuar në studimet e huaja të shoqata si GIZ dhe KFW.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për betonieret, por për të gjitha mjetet e tonazhit të lartë. Ne kemi vënë re të gjitha studimet e GIZ dhe KFW ka segmente të tëra kur ti thua nr e betoniereve e kamionëve janë diku te 2-3 mijë dhe dikush mund të thotë se në 200 mijë makina nuk është një numër i madh. Por ngadalësimi me ato që lëvizin, hyrjet e daljet në kantier, disa herë parkimi dysh për të bërë proceset e tyre teknologjike, realisht kanë krijuar problem”, tha Veliaj për programin “Breaking”.
Nisur nga kjo ekspertizë, kryebashkiaku bëri të ditur se ka kërkuar realisht një bonsens dhe mirëkuptim ndërtuesit dhe firmat e tjera.
“Këtu bëhet fjalë për konceptin e bashkëjetesës, unë jam kërcënuar edhe me gjyqe. Di ti them shoqatës së ndërtuesve siç fitova gjyqin në Gjykatën Kushtetuese për ligjin për taksat, sepse besoj se 10-fishimi i taksës për ndërtuesit i bën mirë qytetit, janë ato që amortizojnë rrugët e qytetit me mjetet e rënda, nuk janë gjyshet që çapiten në lagje dhe që prishin rrugët dhe autostradat.
Ashtu siç fitova gjyqin do ta fitoj edhe këtë gjyq. Por jam i bindur se nuk besoj se ka gjyqtarë sidomos në kushtet ku çdo gjyq inspektohet që t’ia mbajë që të heqë kangjellat e bashkisë që janë mbrojtjen e fëmijëve kur dalin nga shkolla e ta bëjnë këtë në interes të një gomisterie dhe të ndonjë lavazhi, apo të presë garderelat siç kemi parë vendime gjykata nga Tirana në Rinas, që heq ndarjet e rrugës në 100 vende. Ç’punë ka gjykata me vendime të tilla që merren nga ARRSH apo kryetari i bashkisë, që në fakt këto i merr jo për shtëpinë e vet. Këto janë për të ruajtur rrugët ku janë shkollat apo zonat e tjera publike”, tha më tej Veliaj.