Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbërritur mëngjesin e sotëm në seli. Në ndryshim nga herët e tjera, kryedemokrati ka mbërritur herët sot, ndonëse pritet të jetë një ditë e gjatë dhe me zhvillime mjaft të rëndësishme për demorkatët.
Pavarësisht protestës e cila do të mbahet para godinës së PD, Basha ka thënë se do jetë në zyrë dhe madje ka thirrur edhe mbledhje në orën 12.00, orar në të cilin do zhvillohet dhe tubimi i thirrur nga ish-kryeministri Berisha.
Edhe pse situata në PD është e paprecedentë, Basha nuk i ka kursyer batutat me gazetarin Osman Stafa që ndodhej në seli edhe pak më herët se vetë kryetari. Pasi e përshëndeti me dy gishta, Basha i tha se se këngën e Osman Takës do e kërcejnë më vonë.
“Mirëmëngjesi, qenke zgjuar herët shumë. Bravo të qoftë. Ndryshe nga vallja e Osman Takës. Do e kërcejmë më vone atë, pa merak”, i tha Basha gazetarit Stafa.
Lulzim Basha do të mbledhë në selinë e PD Kolegjin e Kryetarëve, ku do të diskutohet mbi zbatimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. Më pas, kryetari do të mbledhë edhe Kryesinë për të miratuar programin e diskutuar nga Kolegji.
“Të nderuar Kryetarë, Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë”, thuhet në mesazhin e dërguar nga Gazment Bardhi.