Afganët e strehuar në Shqipëri pas largimi nga vendi e tyre kanë hapur një ekspozitë në Lezhë.
Ata kanë vendosur që ky organizim të mbajë titullin “Shqipëria nga sytë e mi”.
Autorët e këtyre fotografive janë qytetarët që u strehuan në Shëngjin pasi vendi i tyre ra në duart e talibanëve.
Thonë se qëllimi i ekspozitës nuk është vetëm pasioni për fotografinë, por edhe një falënderim për shqiptarët. “Kjo ekspozitë ishte shumë e rëndësishme dhe e vështirë në të njëjtë kohë. Dhe unë jam përzgjedhur si një ndër fotografët më të mirë, duke u pozicionuar në vendin e dytë. Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur për ne, në lidhje me Shqipërinë. Pra, në këto piktura ka shumë peizazhe të bukura. Për mendimin tim, Shqipëria është një vend fantastik, me njerëz të mrekullueshëm të cilët punojnë së bashku dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që më ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri. Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm, të sjellshëm, të cilët pëlqejnë të punojnë me njëri-tjetrin”, thotë një refugjat afgan.
“NUK DO TA HARROJMË KURRË”
Ndërsa një tjetër refugjat thotë se nuk do ta harrojnë asnjëherë atë që bëri Shqipëria për ta. “Me anë të kësaj ekspozite, ne duam të falënderojmë shqiptarët për mikpritjen e tyre. Ne nuk do të harrojmë asnjëherë atë që Shqipëria bëri për ne, pasi ishte vendi i parë që na pranoi duke na strehuar në situatën në të cilën u ndodhëm. Është një vend i mrekullueshëm. Me pëlqejnë njerëzit shqiptarë, mund t’i konsideroj si një familje, nuk ndihem si një i huaj, por tashmë jemi pjesë e së njëjtës familje. Shqiptarët janë njerëz që flasin dhe veprojnë me zemër dhe ju mund të shihni të gjithë këtë në fotot e paraqitura, se sa shumë e vlerësojmë si vend dhe sa e bukur është Shqipëria”, thotë afgani.
AFGANËT DREJTOJNË MEDIA NGA SHQIPËRIA
Por afganët e strehuar në Shëngjin kohën nuk po e kalojnë vetëm me foto, pasi ka të tjerë që kujdesen që të informojnë bashkëkombësit e tyre përmes mediave të pavarura. “Vij nga Afganistani, kam punuar si asistent profesor atje, ndërsa kur talibanët morën Kabulin, e braktisa vendin. Ne e kalojmë ditën duke bërë aktivitete të ndryshme, unë merrem me ëebsite-n tim të lajmeve”, thotë një gazetar afgan. Të tjerë po shfrytëzojnë diellin për të bërë plazh, por pavarësisht se e pëlqejnë Shqipërinë, synimi i tyre janë Shtetet e Bashkuara ose Kanadaja.
“Unë erdha këtu më 30 tetor 2021 nga Kabuli. Presim të mbarojë procedura e vizës që të ikim në Amerikë. Ne ishim në rrezik atje dhe erdhëm këtu. Këtu është ndryshe, jemi shumë të lumtur, pavarësisht se nuk e kemi shumë të qartë procedurën, presim që të ikim në Amerikë ose Kanada”, tregon një refugjate afgane. Prej fillimit të muajit shtator, në zonën turistike të Shëngjinit janë strehuar rreth 2 mijë shtetas afganë, të cilët u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit nga talibanët. Një pjesë e tyre janë pajisur me viza amerikane apo kanadeze dhe kanë nisur të largohen nga Shqipëria e të tjerë janë në pritje për t’u larguar.