Shëndet dhe qetësi. Pas një viti 2021 të shoqëruar nga makthi i gjatë i Covidit – që nuk ka mbaruar ende -ne shpresojmë të hyjmë në një vit të ri me plot mirëqenie psikologjike dhe fizike. Ne po propozojmë 10 këshilla, dobishmëria e të cilave është e provuar shkencërisht, që duhet t’i ndiqni gjatë vitit 2022.
- Largoni nga vetja zemërimin “e keq”
Të ndjerit shpesh ose vazhdimisht të zemëruar, mund të sjellë efekte të pakëndshme afatgjata mbi veten, dhe në marrëdhëniet tona emocionale dhe sociale. Zemërimi është një emocion që na nxit të bëjmë gjeste të rrezikshme dhe t’u themi njerëzve që kemi pranë fjalë shumë lënduese.
Ndërkohë zemërimi kronik mund të shkaktojë dëme të mëdha në trupin tonë:dhimbje koke, ankth, stres, dhe për rrjedhojë probleme me tretjen dhe tension të lartë. Por fatmirësisht ka edhe një zemërim tjetër, ai “pozitiv”, i cili na ndihmon të reagojmë dhe të dalim nga telashet.
Është emocioni që përgjatë evolucionit i ndihmoi paraardhësit tanë të mbronin veten dhe pasardhësit e tyre nga kërcënimet e mjedisit, dhe që në dallim nga frika, i shtynte ata të sulmonin dhe të mos iknin. Por nuk ka nevojë që të shqetësoheni për këtë lloj zemërimi.
- Dashuroni artin, dëgjoni muzikë
Gjeni gjithnjë kohën për të ri-zbuluar kulturën, duke programuar herë pas herenjë vizitë në muze, një mbrëmje në teatër, kinema, apo në një koncert. Studimet tregojnë se njerëzit që gjejnë kohë të përfshihen në aktivitete kulturore, janë më pak të rrezikuar nga depresioni sesa ata që nuk e bëjnë këtë.
Dhe pastaj është muzika. Dëgjimi i çdo lloj melodie – mundësisht gazmore -sjell një efekt shumë pozitiv mbi gjendjen psikologjike por edhe fizike:muzika e mirë na ngre humorin, na jep energji, na ngushëllon dhe na ndihmon të praktikojmë më mirë çdo lloj aktivitet fizik. Kjo këshillë bazohet në disa studime shkencore, pasi muzika vepron në zonat më të largëta dhe primitive të trurit.
- Më shumë mirësi dhe sa më shumë përqafime
Mirësi ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, dhe sa më shumë përqafime të përditshme. Studimet e fundit tregojnë se të qenit pozitive ndaj vetes, sidomos kur kemi dhimbje dhe ndihemi poshtë me humorin, na ndihmon të ndihemi më mirë sesa ta injorojmë problemin apo të vazhdojmë të lëndojmë veten me autokritikat. Studime të tjera e vënë theksin tek fuqia e përqafimeve:si mirësia po ashtu edhe altruizmi ndaj të tjerëve, i sjellin përfitime trupit të njeriut duke rritur nivelet e oksitocinës dhe duke prodhuar efekte pozitive në sistemin tonë imunitar.
- Mbani rreth vetes vetëm miq të vërtetë
Miqtë, ata të vërtetët, ju ndihmojnë të jetoni më mirë:ata ju motivojnë, frymëzojnë, argëtojnë, këshillojnë, mbështesin dhe shumë më tepër. Neuroshkenca shpjegon se sa i “uritur” është truri ynë për miqësi:mund të na mungojnë miqtë po ashtu siç na mungon buka kur jemi të uritur. Gjithashtu duhet të shmangen “miqtë” toksikë.
- Ecni dhe vetëm ecni…
Nëse palestra nuk është për ju, por as pishina dhe ngarja e biçikletës, ju duhet gjithsesi të kryeni një aktivitet fizik minimal. Qëndrimi fizikisht aktivë nëpërmjet një shëtitje të thjeshtë në lagje apo në parkun më të afërt do të ishte diçka shumë e mirë. Hulumtimet shkencore tregojnë se të rriturit duhet të ushtrohen të paktën 30 minuta në ditë. Dhe një shëtitje është më mirë se sa të mos bërit asnjë aktivitet fizik.
- Më pak alkool
Në fillim alkooli na e ngre moralin, pastaj na e ul paksa atë. Një sasi e madhe alkooli na deh. E megjithatë ne e pimë alkoolin duke e ekspozuar trupin ndaj të gjitha rreziqeve të lidhura me të, si për shembull prekja nga disa lloje kanceri. Përpjekja për të reduktuar konsumin e alkoolit është një synim madhor në jetë. Kjo gjë mund të përmirësojë gjendjen psikologjike por edhe cilësinë e gjumit.
- Cigarja e fundit
Ndoshta 2022-i është një vit i mirë për ta lënë vërtet duhanin, pasi të gjithë e dimë se cigaret – duke përfshirë ato elektronike – janë shumë të dëmshme për shëndetin tuaj, sidomos për mushkëritë. A keni lexuar ndonjëherë sa dhe çfarë substancash vrasëse përmban një cigare? Nëse heqim dorë nga duhani, përfitimet e para për trupin tonë vijnë pas 20 minutash, ndërsa ato të dukshme pas 48 orësh:nga kapaciteti i mushkërive, tek shijet e ri-zbuluara, tek eliminimi i kollës etj. Ky vendim është pozitiv për shëndetin por i bën mirë edhe portofolit tuaj.
- Më shumë ajër, më shumë natyrë, më shumë dritë
Të kaluarit sa më shumë kohë jashtë, ndoshta në hapësira të gjelbra dhe në kontakt me natyrën, është një zakon i shkëlqyer edhe kur klima po bëhet më e egër. Për më tepër, rrezet e diellit janë thelbësore për rregullimin e humorit gjatë ditës:ato mund të ndihmojë në rregullimin e ritmeve tona cirkadiane, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien psikofizike dhe produktivitetin tonë.
- Ushqehuni më shëndetshëm
Pasi kanë ngrënë dhe kanë pirë sipas dëshirës gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, më shumë se 1/3 e njerëzve premtojnë të përmirësojnë zakonet e tyre të të ngrënit. Jo vetëm për të rënë në peshë, por edhe sepse dihet që mbipesha është negative për shëndetin tuaj. Shkenca ka konfirmuar tashmë se obeziteti vjen më shumë për shkak të asaj që hamë. Ushqimet me një indeks të lartë glicemik, nxisin akumulimin e yndyrave.
Prandaj le të përpiqemi të ndjekim një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar:dietën mesdhetare, e cila është më e rekomanduara sidomos për personat që rrezikojnë të pësojnë infarkt me zemër, pasi ajo ndihmon po aq sa statinat, që janë ndër barnat më të rekomanduara për kontrollin e kolesterolit.
- Vendosni një libër mbi tryezën e shtratit
Leximi i bën shumë mirë trurit, dhe ndihmon në relaksimin dhe lehtësimin e ankthit. Ndaj sigurohuni që të mos përdorni smartfonin, kompjuterin apo të shihni TV çdo mbrëmje: të paktën një ose dy herë në javë lexoni një libër përpara se të flini gjumë. / Focus – Bota.al