Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka komentuar situatën brenda forcës politike që ai përfaqëson
Sipas tij, e gjendur në dy kampe, zgjidhja e vetme për këtë parti mbetet tashmë ulja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe liderit aktual Lulzim Basha në tryezë për të gjetur një zgjidhje me konsensus.
“Siç kam qenë koherent jam për linjën që PD të mos ishte në këtë situatë. Do të doja që të arrihej një konsensus mes Bashës dhe Berishës për hatër të PD që është një vlerë e jashtëzakonshme e gjithë shqiptarëve dhe demokratëve. E vetmja problematikë është se njerëzit po shohin njeri-tjetrin sikur nuk ishin ata që dilnin bashkë në protesta dhe shihen tani si armiq.
PD duhet të ketë vetëm një parti, por e keqja është se kjo është transmetuar te baza në mënyrën më të keqe këto dy muajt e fundit. Duhet të ketë dhe një lider tjetër ata dalin në çdo kohë siç ndodh në të gjithë partitë politikë, por ka një gjë ndërrimi bëhet me votë dhe kjo njëherë në 4 vjet. Kush hyn në politikë hyn për karrierë, por në këtë periudhë çdo figurë e tretë pa konsensusin e dy figurave kryesore do të dështonte. Nuk është momenti i përshtatshëm sepse dhe ai do e dinte se s’do arrinte gjëkundi.
Megjithatë duhet të jeni të bindur se nuk do të ketë dy subjekte por ka vetëm një parti politike, ndaj e vetmja hapësirë, strategji është konsensusi mes dy liderëve kryesore, kjo është zgjidhja e vetme imediate. Nuk ka mundësi tjetër. Tensioni ka zbritur në bazë aktualisht dhe kryesoja kemi harruar të bëjmë opozitarizëm sepse konflikti jonë i brendshëm ka pushtuar dhe media, por sido që të shkojë, Partia Demokratike do të jetë një dhe solide. Për të gjetur një zgjidhje të cilën e kam thënë në të gjitha deklarimet e mia publike është ulja dhe vendimmarrja e të dyve bashkë. Nëse do shkojmë secili te e veta kjo do sjellë kosto dhe ka sjellë kosto poshtë në bazë”, tha Saimir Korreshi për MCN Tv.