Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, komentoi nismën “Ballkani i Hapur” duke thënë se Ballkani nuk ka të bëjë vetëm me tre shtete.
“Testi i së vërtetës është hapja e Serbisë për Kosovës. Ballkani nuk është vetëm tre shtete”, ka thënë Kurti. “Ballafaqimi me të kaluarën është vlerë europiane”, theksoi ai.
Gjithashtu ai theksoi se nuk pajtohet me qëndrimin e Shqipërisë për nismën “Ballkani i Hapur”, ndërsa shtoi se pavarësisht kësaj marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira.
Zëri i Amerikës: I përmendët mbledhjet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të dyja janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur që e keni refuzuar deri tani Ka ndonjë gjasë që Kosova të ndryshojë qëndrimin ndaj kësaj nisme e cila po merr formë?
Albin Kurti: Së pari, Ballkani nuk është vetëm tri shtete, Ballkani nuk është as gjashtë shtete sa është hapësira e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruar në BE. Ballkani është së paku 12 shtete…
Zëri i Amerikës: Por të tjerat janë ne BE, tashmë janë të rregulluar…?
Albin Kurti: Por, nëse e quajmë Ballkan dhe Ballkan i Hapur, besoj se testi i së vërtetës është hapja e Serbisë ndaj Kosovës. Ata nuk i pranojë as dokumentet tona të udhëtimit, kartat e identitetit, nuk i pranojnë as vulat, certifikatat dhe diplomat tona, prandaj me një Serbi të mbyllur për Kosovën, nuk e di se si mund te kemi Ballkan të Hapur. Ndërkaq, në një rrafsh edhe më individual do të thosha, besoj që kështu ndjehen shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës sonë. As si përcaktim politik as si ndjeshmëri kulturore, unë nuk u përkas atyre që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë jam i bindur që Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë vendin e tyre në NATO dhe BE.
Zëri i Amerikës: Por, a nuk e dëmton Kosovën një farë vetizolimi nga kjo nismë ndërsa ajo ka nevojë për thyerjen e pengesave dhe për qasje më të gjerë në një treg më të madh dhe për sigurimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit?
Albin Kurti: Kurrë nuk ka pasur Republika e Kosovës më shumë vizita të zyrtarëve të lartë politik e diplomatik të perëndimit sikurse në vitin 2021. Dhe gjithashtu, kurrë nuk ka pasur pritje më të larta për zyrtarët tanë sikurse në këtë vit. Mbase vetëm viti 1999 pas çlirimit do të mund të ketë pasur më shumë vizita nga jashtë në vendin tonë. Në anën tjetër ne marrim pjesë në procesin e Berlinit. Për tregun e përbashkët rajonal kemi shprehur gatishmërinë tonë dhe interesimin tonë. Gjithashtu, theksojmë se investimet janë shumë të rëndësishme në rajon. Por, këto duhet të bëhen duke pasur respekt të ndërsjellë dhe barazi të të gjithëve. Iniciativat që vijnë nga Beogradi, unë e kam përshtypjen e fuqishme se dëshirojnë që të krijojnë një platformë pa BE-në. Ne dëshirojmë që BE-ja të jetë në çdo iniciativë rajonale edhe si mekanizëm, por njëkohësisht edhe si vlerë. Nuk preferojmë që edhe më tej në Ballkanin Perëndimor të ketë fonde të BE-së pa vlera evropiane.
Zëri i Amerikës: BE-ja mbështeti nismën përmes komisionarit për zgjerim, ndërsa nisma është mbështetur nga diplomacia amerikane dhe vet zoti Gabriel Escobar ka theksuar se mbështet nismën që nuk e zëvendëson BE-në. A nuk janë garanci të mjaftueshme që Kosova ta tejkalojë do thosha njëfarë vetizolimi të saj?
Albin Kurti: Unë jam i bindur që mbështetja që vjen nga perëndim për Ballkanin e Hapur, është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti si i tillë. Pra, nuk duan ta kundërshtojnë idenë, por nuk është se aktivisht po marrin pjesë pastaj në projektin e tillë. Dhe të mos harrojmë që tek këto tri shtete që po marrin pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur, vetëm njëri shtet e ka pajtimin edhe të presidentit edhe të kryeministrit; Serbia.
Zëri i Amerikës: Kundërshtimi i nismës sikur shkaktoi çarje në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Përse një nismë që synon afrim mes vendeve të Ballkanit po thellon ndarjet në mes të dy vendeve që marrëdhëniet e tyre i kanë cilësuar vëllazërore?
Albin Kurti: Besoj që mospajtimi ynë rreth iniciativës për Ballkanin e Hapur, që në fakt e ka origjinën në Novi Sad, është dëmtim i raporteve tona që vlen për t’u përmendur. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës janë ndër ë të mirat në Kosovën e pasluftës…
Zëri i Amerikës: Edhe midis kryeministrave?
Albin Kurti: Padyshim. Por ne kemi mospajtime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe brenda partive politike nganjëherë kemi mospajtime edhe brenda kabineteve qeveritare e lëre më midis dy kryeministrave. Por, me vet faktin që përmendet kaq shumë ky mospajtim, besoj që kjo tregon se në fakt, ka fare pak ose aspak mospajtime të tilla.