Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi sot se do të informojë kryetarin e PD Lulzim Basha me anë të një shkrese se është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe referendumi i 18 dhjetorit.
Sipas tij, Komisioni i Rithemelimit të PD ka vendosur që njoftimi për shkarkimin, nga posti i liderit të kësaj force politike, të bëhet me anë të një shkrese zyrtare.
“Sot komisioni i përkohshëm i drejtimit të PD-së ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të rithemelimit të PD-së. Gjerë më datë 22 mars të gjitha strukturat e kësaj partie duhet të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD-së të cilët do të vendosin me votën e lirë për drejtuesit e tyre, forumet e tyre.
Kjo është një punë intensive. Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme, të anëtarësisë së PD-së në aktin më historik të lirisë sikur ishte referendumi i datës 18. Ky akt ishte shkarkimi. Akt protokollar dhe jo detyrim. Deputetit Basha do i dërgohet një shkresë ku do të njoftohet me shkrim për këtë vendim”-tha ai.