Në mënyrë të vendosur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se nuk e njeh referendumin e mbajtur sot nga Sali Berisha për shkarkimin e tij.
Në një prononcim për gazetarët nga selia blu, ai u shpreh se sot kishte vetëm një aktivitet në PD, dhe ky ishte Kuvendi Kombëtar.
I pyetur se ka zëra që Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit mund të vijnë në seli për të lexuar rezultatet e referendumit, Basha këmbëngul se nuk ka pasur një të tillë sot.
“Kjo është shtëpia e demokratëve dhe demokratët janë krenarë për atë që kanë arritur.
E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve. Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve, do të qëndrojmë me vetëdije për të gjithë gabimet e të shkuarës.
Gabimet e të kaluarës kur përsëritën në mënyrë tragjikomike nuk do ta marrin peng PD.
Nuk ka referendum, ka vetëm një PD dhe një kuvend kombëtar që sapo mori vendimet.
Sot ka patur një aktivitet, ka një PD që ka mbajtur një kuvend, të tjerat janë përpjekje personale për të kthyer demokratët në mish për top”, tha Basha.
Në Kuvendin e PD u miratua rezoluta me 12 vendime të miratuara nga Këshilli Kombëtar. Rezoluta e konsideron Kuvendin e Sali Berishës një tubim dhe vendimet e marra prej tij si “nul”.
Duke theksuar se Berisha falsifikoi simbolet e PD, Këshilli Kombëtar shton se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
Pyetje – përgjigje
Lulzim Basha: Kjo është shtëpia e demokratëve dhe demokratët janë krenarë për atë që kanë arritur për Shqipërinë. Në vitin 1996, ne vumë në livzje diçka që solli si përfundim jo vetëm largimin e Partisë Demokratike nga pushteti. Mund të kishim qenë vend anëtarë i Bashkimit Europian, mund të kishim qenë vendi i parë në të gjithë vendet lindore që mund të ishim anëtarësuar në Bashkimin Europian. Përgjegjësi për këtë kanë në radhë të parë ata që për intersin e tij personal, Sali Berisha, President i vendit atëherë, pranoi një standard zgjedhor të papranueshëm nga SHBA-të. E sotmja, tregoi qartë vullnetin e demokratëve, Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve që është shtëpia e lirisë. Do të qëndrojmë me vetëdijen për të gjitha gabimet tona të së kaluarës duke përfshirë siç e thashë, atë që vuri në lëvizje pastaj një revansh 8-vjeçarë mbi Shqipërinë, mbi demokracinë, mbi Partinë Demokratike dhe mbi të gjithë shqiptarët që e ndaloi, atë që në fakt do të ishte sot Shqipëria anëtare e në Bashkimin Europian, po gabimet e të kaluarës në veçanti kur përsëriten në mënyrë tragjikomike, nuk do ta marrin më peng Partinë Demokratike dhe demokratët. Sot ka pasur vetëm një aktivitet të Partisë Demokratike dhe ai ka qenë Kuvendi Kombëtar i demokratëve.
Pyetje: Ka zëra se zoti Berisha dhe Komiteti i Rithemelimit do të vij në selijnë blu për të shpallur rezultatin e referendumit që është votuar sot, ju do të jenëi këtu?
Lulzim Basha: Nuk ka referendum, nuk ka Komitet Rithemelimi. Ka një Parti Demokratike dhe një Kuvend Kombëtar që sapo mori vendimet e tij.
Pyetje: Zoti Basha në këtë mënyrë ju nuk po respektoni ata anëtarë të cilët sot për më shumë se 8 orë iu drejtuan qendrave të votimit dhe kutive të votimit në të gjithë vendin.
Lulzim Basha: Ju nuk keni asnjë informacion që ata janë anëtarë të Partisë Demokratike. Ndërsa unë e di që ka disa anëtarë të Partisë Demokratike të cilëve iu bëj thirrje që t’i bashkohen vendimeve të institucioneve të Partisë Demokratike që janë zgjedhur me votën e anëtarëve të Partisë Demokratike.
Pyetje: A do qëndrojë e hapur selia për ata që duan të shpallin rezultatin për atë aktivitet që ju nuk po e konsideroni?
Lulzim Basha: E keni përgjigjen brenda pyetjes. Partia Demokratike ka pasur një aktivitet sot, rezultati është shpallur. Aktiviteti ka qenë Kuvendi Kombëtar. Ka një Parti Demokratike që ka pasur një Kuvend Kombëtar sot. Të gjitha të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët në mish për top. Kjo do të refuzohet me vendosmërinë më të prerë.
Pyetje: Po deklaratat e zotit Berisha…
Lulzim Basha: As më duhen fare deklaratat e tij, sepse për një kohë shumë të gjatë ka vendosur interesat e tij, sigurisht mbi interesat e kryetarit, por kam frikë ndonjëherë edhe mbi interesat e demokratëve. Kjo kohë mori fund sot.