Dysheku është një nga gjërat që për fat të keq pastrohet më pak në shtëpi.
Atë e veshim me çarçafë të pastër e të parfumosur por harrojmë se dysheku ka nevojë të pastrohet të paktën një herë në javë.
Nëse dysheku nuk pastrohet ai transformohet në një vatër pluhuri, mikrobesh e bakteresh.
Këto të fundit, jo vetëm që prishin gjumin por edhe shkaktojnë alergji.
Pastrimi i dyshekut nuk ka të bëjë aq shumë me mungesën e dëshirës, por ndoshta thjesht neglizhohet.
Në këtë artikull do të mësoni se për një dyshek të pastër, e vetmja gjë që ju duhet është soda e bukës.
Si Ta Pastroni Dyshekun Me Sodë Buke
Hapi i parë është që të hiqni të gjithë çarçafët.
Më pas merrni një kullesë të pastër dhe hidhni në të sodën e bukës.
Spërkateni të gjithë dyshekun me sodë buke.
Ky pluhur i bardhë do të eliminojë të gjitha aromat e këqija duke përthithur papastërtitë dhe lagështinë.
Soda e bukës duhet të qëndrojë mbi dyshek për të paktën një orë e gjysëm.
Pas kësaj kohe, shtroni sërish çarçafët e pastër mbi dyshekun, pa hequr sodën.
Mos u shqetësoni për sodën e bukës.
Në krye të javës tjetër kur të lani çarçafët sërish, përdorni fshesë me korent për të thithur sodën e bukës nga dysheku.
Gjatë një jave soda e bukës ka akumuluar të gjithë papastërtitë e fshehura në dyshek.
Një alternativë tjetër është që sodën e bukës ta fshini me fshesë me korent, që pas orës së parë që ka qëndruar mbi dyshek.
Megjithatë një pastrim i thellë kërkon të paktën një herë në javë.
Nëse dëshironi që dysheku juaj të mbajë aromë të mirë, atëherë mund ta spërkatni me disa pika vaji esencial me aromën e lules së preferuar.
Shumë ekspertë rekomandojnë përdorimin e disa pikave të vajit esencial të lavandës, e cila jo vetëm që ka aromë të mirë, por edhe qetëson trurin.
Ky vaj esencial është i dobishëm për trurin dhe nxit një gjumë të ëmbël e të patrazuar./AgroWeb.org