Zv.ministrja e Arsimit Bora Muzhaqi ka ironizuar Rovena Vodën, ish-zv.ministren e Brendshme e cila aktualisht është lënë në “arrest shtëpie” me vendim gjykate.
Ajo akuzohet se ka marrë rryshfet për të punësuar një person në administratë.
Ndërkohë sot gjatë një konference për mediat, Bora Muzhaqi foli për nismën “Gati për Shqipërinë”, për të cilën shpjegoi se është një platform online përmes së cilës të rinjtë shqiptarë jashtë vendit mund të aplikojnë për të qenë pjesë e administratës.
Gjatë fjalës së saj, Muzhaqi thumboi Rovena Vodën.
“Ky ka qenë një format aplikimi, ku nuk hyn në lojë, as partia, as miku, as larg qoftë arkat e peshkut. Ne jemi mbledhur bashkë dhe jemi përpjekur ti dëgjojmë këta të rinj, eksperiencën e tyre dhe të kujtojmë se nga vijnë ata…”, tha Muzhaqi.
Referuar hetimeve të SPAK, Rovena Voda mori 1000 euro, një telefon me vlerë 550 euro dhe një arkë me peshk për të ndërhyrë për punësimin në administratë të Florida Beut.