Zbulohen të tjera detaje nga incidenti në gjykatën e Vlorës, ku u dhunua fizikisht dhe verbalisht gjyqtari i njohur Arqile Basho.
Kanë qënë tre vëllezër, ata që kanë përplasur gjyqtarin pas murit, si pasojë e konflikteve që kanë nisur për pronën.
“Ky është ai që jep vendime të gabuara. Më ka shitur pronën mua. Ja ky është, ky! Hajde mos ik, se e ke shitur gjyqin. Sa lekë ke marrë?,”-ka deklaruar një nga vëllezërit.
Pasi mbaroi gjyqi, vëllezërit e ndoqën nga pas, teksa njëri prej tyre e vendos pas një muri gjyqtarin duke i hequr pelerinën.
Gjatë gjithë kohës, gjyqtari dëgjohet duke thënë: Qetësohuni! Ruani qetësinë!
Personat e arrestuar janë Myslim Myslimi 60 vjeç, Fatosh Myslimi 62 vjeç si dhe vëllai i tretë Elmaz Myslimi 64 vjeç.
Gjyqtari ka deklaruar se nuk ka bërë kallëzim, mirëpo kanë qenë drejtuesit e institucionit që kanë kallëzuar personat e përfshirë në incident.
Çfarë tha policia
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit M. M., 60 vjeç, F. M., 62 vjeç dhe E. M., 64 vjeç (vëllezër), të tre banues në Vlorë, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, në ambientet e brendshme të Gjykatës, kanë kundërshtuar me dhunë, shtetasin A. B., 63 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë“, njofton Policia.