Irani ka krijuar një aplikacion Islamik të kontrolluar nga shteti, i cili ofron mundësi njohje për të rinjtë, me qëllim final kurorëzimin në martesë.
Aplikacioni “Hamdam”, lejon përdoruesit të “kërkojnë dhe të zgjedhin bashkëshortin/en e tyre”.
Sipas shefit të policisë së hapësirës kibernetike të Iranit, kolonel Ali Mohammad Rajabi është e vetmja platformë e sanksionuar nga shteti në llojin e saj në republikën islamike. Teksa aplikacionet për takime janë të njohura në Iran, Rajabi u shpreh se të gjitha platformat e tjera përveç “Hamdamit” ishin të paligjshme.
Faqja e internetit e Hamdam pretendon se po përdor “inteligjencën artificiale” dhe mundëson lidhje “vetëm për beqarët që kërkojnë martesë të përhershme dhe një bashkëshort të vetëm”.
Kreu i Tebyan, Komeil Khojasteh, tha se vlerat e familjes kërcënoheshin nga forcat e jashtme. “Familja është shënjestra e djallit dhe [armiqtë e Iranit] kërkojnë të imponojnë idetë e tyre”, tha ai, duke shtuar se aplikacioni ndihmon në krijimin e familjeve “të shëndetshme”.
Sipas faqes së internetit të Hamdam, përdoruesit duhet të konfirmojnë identitetin e tyre dhe të kalojnë nëpër një “test psikologjik” përpara se të futen në aplikacion.
Pas njohjeve, aplikacioni “prezanton familjet së bashku me praninë e këshilltarëve të shërbimit”, që do të “shoqërojnë” çiftin për katër vite pas martese.
Regjistrimi është tërësisht falas, pasi Hamdam ka “një model të pavarur të të ardhurave”, tha midis të tjerash faqja në internet.
Në muajin mars, parlamenti i dominuar nga konservatorët e Iranit miratoi një projektligj që titullohet “rritja e popullsisë dhe mbështetja e familjeve”.
Ai mandaton qeverinë që të ofrojë stimuj të rëndësishëm financiarë sa i përket martesës dhe të inkurajojë njerëzit të kenë më shumë se dy fëmijë, ndërsa kufizon mundësinë e abortit.