Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të përballen këtë të mërkurë me një situatë të paprecedentë. Për herë të parë në 30 vite, një parlament do të votojë për të shkarkuar një President Republike. Pak pasi Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit miratoi raportin përfundimtar për shkeljet kushtetuese të cilat pretendohet se ka bërë Ilir Meta, këtë të mërkurë i takon Kuvendit që të vendosë.
Por sa vota i duhen socialisteve, për të ndërmarrë një hap të tillë? Referuar nenit 88 të Kushtetutës, kërkohet që shkarkimi i Presidentit të Republikës të marrë jo më pak 94 vota ose 2/3 e të gjithë deputetëve. Mirëpo këto vota Partia Socialiste nuk i ka vetë dhe do të duhet të mbështetet dhe nga të tjerë deputetë. Faktet kanë treguar se kur mazhorancës në këtë legjislaturë i janë dashur vota në këto nivele, ajo i ka gjetur, përmendim rastin e ndryshimit të Kushtetutës vitin që lam pas.
Kuvendi i Shqipërisë, pas djegies së mandateve nga demokratet dhe Lëcizjes Socialiste për Integrim dhe me zëvendësimin e tyre më të pabindurit e të dyja kampeve, ka aktualisht 122 deputetë.
Por kush nga këta 122 deputetë mund të votojnë kundër shkarkimit të Presidentit Meta?! Potencialisht ata janë Lefter Maliqi, Elda Hoti, Artur Roshi, Korab Lita, Gjetan Gjetani.
Në qoftë se ndodh ky skenar, i bie që në dispozicion të socialistëve të jenë 117 vota, për shkarkimin e presidentit dhe duke marrë në konsideratë edhe disa vota abstenim apo kundër, PS nuk rrezikon të sigurojë votat e nevojshme për shkarkim të Presidentit. Megjithatë rezultati i votimit të fshehtë, mbetet i hapur.
Seanca e sotme dhe votimi që do të rrjedhë nga kjo seancë, do të lërë topin në fushën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në qoftë se gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.