AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin pritet të ulen më 19 nëntor në të njëjtën tryezë në Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik AziPaqësor. Prezenca e tre udhëheqësve e bën takimin të ketë peshë të rëndësishme jo vetem politike. Rezultati, megjithatë, do të varet nga fakti se sa të gatshëm do të jenë të tre liderët të negociojnë çështje ku interesat e tyre rrallë herë përputhen.
Uashingtoni dhe Moska e kanë konfirmuar takimin. Edhe Pekini që nuk kishte dhënë një konfirmim të posaçëm publik për formatin trepalësh, dje e konfirmoi atë… Edhe administrata amerikane i ka mbajtur të ulëta pritshmëritë për marrëveshje të menjëhershme. Ka arsye, pra, që samiti të shihet më shumë si një përpjekje për të hapur negociata sesa si çasti kur do të zgjidhen përplasjet e mëdha ndërkombëtare; si një hap i parë i një marrëveshjeje potenciale në të ardhmen.
Megjithatë, kjo nuk ia ul rëndësinë takimit. Përkundrazi. Kur konkurrenca ushtarake, ekonomike dhe politike ndërthuret me tarifat, furnizimin me energji dhe kufizimet teknologjike, edhe një marrëveshje e kufizuar mund të ketë pasoja të ndjeshme. Por nga ana tjetër po aq të ndjeshme mund të jenë edhe zhgënjimi ose mesazhet kontradiktore që mund të dalin nga një takim i tillë.
ÇFARË KËRKOJNË SECILI NGA TË TRE LIDERËT?
Analistët dhe mediat ndërkombtare po i bëjnë jehonë takimit të pritshem. Sipas tyre, Presidenti amerikan ka vendosur në qendër çështjen e armëve bërthamore. Një proces negociatash me Rusinë dhe Kinën do t’i lejonte ta paraqiste veten si presidenti që merr përsipër një problem të pazgjidhur nga paraardhësit… Uashingtonit do t’i duhet të gjejë një formulë që i sjell të dyja vendet në bisedime, pa e kthyer mospajtimin për kushtet fillestare në pengesë për vetë dialogun.
Presidenti rus ka një interes më të menjëhershëm. Ulja përkrah presidentëve të SHBA-së dhe Kinës i shërben përpjekjes së tij për ta paraqitur Rusinë si fuqi me të cilën duhet negociuar për çështjet kryesore të sigurisë botërore. Në këtë kuptim, Moska mund të përfitojë politikisht edhe në mungesë të një marrëveshjeje. Perceptimi i fuqisë është shpeshherë më i rëndësishëm se vetë fuqia.
Presidenti kinez gjendet përballë një llogaritjeje disi më të ndërlikuar. Kina fiton nga roli i mikpritëses dhe nga mundësia për t’u shfaqur si qendër e diplomacisë ndërkombëtare. Por një takim që dominohet nga propozimet bërthamore të Trumpit ose nga kërkesat ruse për Ukrainën mund ta vendosë në pozitë jo fortë tekëndshme. Pekini dëshiron ndikim mbi bisedimet, pa pranuar detyrime që i konsideron të parakohshme.
Këto dallime shpjegojnë përse prania e tre udhëheqësve në të njëjtën tryezë nuk duhet ngatërruar me një afrim të qëndrueshëm.
ANKTHI I ATYRE QË MUNGOJNË
Paralajmërimi i takimit ka rikthyer krahasimin me një Jaltë të re, krahasim që shpeshherë në politikën ndërkombëtare është sinonimi i një frike se fuqitë e mëdha mund të negociojnë mbi interesat e vendeve që nuk ndodhen në tryezë. Analogjia është e fortë dhe prandaj duhet përdorur me kujdes për të mos lënë përshtypje të gabuara. Nuk egziston një plan i konfirmuar për ndarjen e botës në zona ndikimi, të paktën publikisht nuk egzistojnë të dhëna se dicka e tillë egziston. Nga ana tjetër duhet kuptuar që nuk gjendemi as në përfundim të ndonjë konflikti global sic ishte rasti specifik i Konferencës se Jaltës në 1945, por as në përfundimin e ndonjë faze historike e përmasave të mëdha sic ishte psh., rasti i fundviteve 1980. Megjithatë, egziston një shqetësim i kuptueshëm për diplomacinë që mbështetet te marrëdhëniet personale të udhëheqësve të fuqive të mëdha dhe që i lë shtetet e tjera, sidomos ato të një shkalle fuqie më të ulët, në pritje të rezultatit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Irani pritet të diskutohet, ndërsa lufta kundër Ukrainës nuk parashikohet të jetë pjesë e bisedimeve trepalëshe. Kjo nuk e bën takimin të parëndësishëm për Europën. Mënyra si Uashingtoni e trajton Moskën dhe mesazhet që jep për sigurinë ndërkombëtare ndikojnë në shkallën e besimit të vendeve evropiane, edhe në rastet kur nuk merren vendime të drejtpërdrejta për ta. Një shqetësim i ngjashëm për mundësinë e “pazareve” më të gjera ekziston edhe rreth Tajvanit, pa pasur prova për ndonjë marrëveshje të përgatitur mbi statusin e tij.
Nga ana tjetër, do të ishte e tepruar që Rusia dhe Kina të trajtoheshin si një palë e vetme. Sipas raportimeve për përgatitjet e samitit, Moska ka kërkuar përfshirjen e cështjes së Ukrainës, ndërsa Pekini e ka kundërshtuar diskutimin e kësaj cështjeje në këtë format. Afërsia ndërmjet dy shtetesh për arsye të ndryshme mbi disa pika nuk i zhduk interesat e tyre të veçanta, kjo është një aksiomë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për çdo marrëveshje të mundshme duhet parë jo vetëm çfarë i bashkon shtetet në fjalë, por edhe çfarë i ndan ato.
PENGESA PËR ÇËSHTJET E ARMËVE BËRTHAMORE.
Kontrolli i armatimeve është prova më e vështirë. Pas skadimit të traktatit New START në shkurt, nevoja për një marrëveshje të re kuadër mes Uashingtonit dhe Moskës është bërë më e ngutshme. Përfshirja e Kinës, megjithatë, e ndryshon natyrën e negociatave. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, SHBA-ja dhe Rusia zotëronin së bashku pothuajse 86% të kokave bërthamore në fillim të vitit 2026.
Për amerikanët, një marrëveshje që lë jashtë Kinën nuk i përgjigjet plotësisht konkurrencës së sotme. Për kinezët, kufizimet trepalëshe në kushtet e një pabarazie kaq të madhe do të rrezikonin të ruanin epërsinë e dy fuqive të tjera. Prandaj, hapja e bisedimeve teknike ose përmirësimi i komunikimit në rast krize do të përbënin rezultate me vlerë, edhe pa një traktat të ri. Por këto mbeten mundësi. Deri tani, vetë zyrtarët amerikanë nuk presin një marrëveshje bërthamore në Shenzhen.
EKONOMIA DHE TREGTIA KANE NEGOCIATAT E VETA
Agjenda ekonomike kërkon një shpjegim që shpesh herë humbet në raportimet për të tilla samite. Bisedimet tregtare amerikano-kineze zhvillohen kryesisht në kanale dypalëshe; nuk janë automatikisht pjesë e tryezës me Putinin. Më 13 nëntor, këshilli tregtar i dy vendeve diskutoi tarifat, bujqësinë dhe zbatimin e një skeme uljesh tarifore mbi mallra me vlerë rreth 30 miliardë dollarë nga secila palë. Kjo është vlera e mallrave të përfshira, jo shuma që do të kursehej nga ulja e tarifave.Pesha ekonomike e një afrimi të mundshëm shkon përtej këtyre shifrave. Tarifat mund të mbrojnë disa prodhues vendas, por nga ana tjetër të rrisin kostot për biznese që importojnë lëndë të para ose pjesë për prodhim, si edhe për konsumatorët. Pasiguria për masat e ardhshme i shtyn ndërmarrjet të presin përpara se të investojnë. Një marrëveshje e besueshme do të kishte vlerë edhe sepse do t’u jepte më shumë qartësi vendimeve të tyre.
Megjithatë, ulja e tarifave nuk do të nënkuptonte detyrimisht edhe fundin e konkurrencës strategjike. Energjia, gjysmëpërçuesit, inteligjenca artificiale dhe mineralet e rralla trajtohen gjithnjë e më shumë si çështje sigurie kombëtare. Kufizimet kineze mbi mineralet e rralla kanë detyruar më parë disa prodhues makinash të ulin ose të ndërpresin përkohësisht prodhimin. Ky është një shembull konkret se si një vendim politik mund të arrijë deri te fabrika, punonjësi dhe blerësi. Çdo përmirësim real duhet kërkuar te licencat e eksportit, te vazhdimësia e furnizimit dhe te parashikueshmëria e rregullave. Një deklaratë miqësore mes presidentëve mund të ndihmojë, por nuk e zëvendëson asnjërën prej tyre.
NGA IRANI, TE ÇMIMET EKARBURANTEVE
Çëhtja e Iranit e lidh drejtpërdrejt takimin me ekonominë e përditshme. Siguria e furnizimit me energji dhe e transportit detar ndikon në çmimin e karburanteve, në kostot e bizneseve dhe në çmimet që paguajnë familjet. Raporti i nëntorit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vëren se tregu i naftës ka nisur të ribalancohet falë rimëkëmbjes së furnizimit nga Gjiri. Sulmet ndaj anijeve dhe vështirësitë në furnizimin me naftë diesel vazhdojnë ta rrezikojnë këtë përmirësim. Nëse bisedimet ndihmojnë në uljen e tensionit dhe në sigurimin e transportit, ato mund të zbusin pjesën e çmimit që lidhet me frikën e ndërprerjes së furnizimit. Megjithatë, jo çdo lëvizje e ardhshme e naftës mund t’i atribuohet samitit, duhet kuptuar mirë se furnizimi, kërkesa dhe gjendja e ekonomisë botërore kanë peshën e tyre. Edhe këtu, interesat nuk përputhen plotësisht. Për një vend importues, nafta më e lirë është lehtësim për ekonominë ndërkohë për një eksportues, një dicka e tillë nënkupton më pak të ardhura. Pra dëshira e përbashkët për të shmangur një krizë të pakontrollueshme nuk përkthehet domosdoshmërisht në marrëveshje për kushtet e zgjidhjes së saj.
SI DO TE REAGOJNË TREGJET?
Tregjet financiare do ta gjykojnë takimin nga besueshmëria e angazhimeve. Konteksti nuk është i lehtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon për vitin 2026 rritje ekonomike botërore prej 3,1% dhe inflacion prej 4,7%, ndërsa konfliktet, tensionet tregtare dhe problemet e financave publike mbeten burime pasigurie. Një ulje e qëndrueshme e tensioneve mund të përmirësonte pritshmëritë për fitimet e kompanive dhe kushtet e financimit. Megjithatë, nuk ka arsye të pritet që aksionet, obligacionet dhe monedhat të reagojnë njësoj. Ulja e presionit mbi çmimet e energjisë mund të zbusë pritshmëritë për inflacionin, ndërsa borxhet e larta publike mund t’i mbajnë kostot e huamarrjes të ngritura. Lidhja mes diplomacisë dhe tregjeve është më e ndërlikuar sesa sugjeron një ditë optimizmi në bursë. Për vendet më të cenueshme, pasojat mund të jenë më të forta. Tensionet ndërkombëtare mund të nxisin largimin e kapitalit, të ushtrojnë presion mbi monedhat vendase dhe ta bëjnë borxhin më të shtrenjtë. Kjo prek veçanërisht ekonomitë që importojnë energji dhe kanë hapësirë të kufizuar në buxhet. Ndaj edhe një samit pa marrëveshje spektakolare mund të ketë dobi, nëse arrin ta ulë pasigurinë për një kohë të mjaftueshme. Kujdes duhet edhe me pritshmëritë për sanksionet. Një afrim amerikan me Moskën nuk i heq automatikisht kufizimet europiane ndaj bankave, tregtisë apo energjisë ruse. Ato mbështeten në vendime të veçanta të institucioneve të BE-së. Për bankat dhe kompanitë, një takim i suksesshëm politik nuk është leje për të rifilluar transaksionet. Po aq i nxituar do të ishte interpretimi i samitit si fillimi i fundit të dollarit. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas të dhënave të FMN-së, dollari përbënte 56,7% të rezervave valutore botërore, ndërsa monedha kineze 2,11%. Këto shifra nuk përmbledhin çdo funksion të një monedhe ndërkombëtare, por tregojnë largësinë që ndan ende peshën financiare të dy vendeve. Një afrim diplomatik nuk e ndryshon shpejt këtë raport. Megjithatë, siç ndodh rëndom në raste të tilla, prova e vërtetë vjen pasi udhëheqësit largohen nga vendi i takimit dhe blicet e fotografisë së përbashkët shuhen. Më shumë se formulimet e deklaratës përfundimtare (nëse do të ketë një të tillë), rëndësi do të kenë vazhdimi i bisedimeve teknike, qartësimi i rregullave të tregtisë dhe gatishmëria e palëve për të treguar më shumë përmbajtje në krizat e ardhshme. Bota ka nevojë që fuqitë e mëdha të flasin me njëra-tjetrën. Por ka nevojë edhe që marrëveshjet e tyre të mos e kthejnë sigurinë e të tjerëve në monedhë shkëmbimi. Suksesi i këtij takimi do të duhet matur me më pak pasiguri për të gjithë, jo thjesht me më shumë mirëkuptim mes tre presidentëve. Por le të presim takimin dhe rrezultatet e tij. Bota mban sytë te ky takim.







