Vetëm pak minuta pas mesnate, dy ekzekutime me armë zjarri kanë ndodhur në Vlorë dhe Lushnje.
Mësohet se dy persona janë vrarë në dy ngjarje të ndryshme kriminale.
Sipas informacioneve i plagosur ka mbetur dhe një person.
VRASJA NE VLORE
Shkëlzen Velaj ka mbetur viktimë e një atentati me armë zjarri në qytetin e Vlorës. 35-vjeçari ka qenë duke u kthyer në banesë në orët e vona të natës, kur pikasi një makinë të dyshimtë që e ndiqte.
Velaj ka nxituar për t’u futur në banesën e tij, në katin e pestë të pallatit, por në momentin që po priste të hapej dera, autori ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt tij.
Sipas të dhënave paraprake, gati i gjithë karikatori i armës është zbrazur mbi 35-vjeçarin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima e atentatit të sotëm në Vlorë, Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velaj, i vrarë në masakrën e Çoles në 7 prill të 2015-ës.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa nga kontrollet pranë fshatit Risili është gjetur një makinë e djegur tip “BMW” që mendohet se është braktisur nga autorët.
VRASJE DHE PLAGOSJE NE LUSHNJE
Vetëm pak minuta pas krimit në Vlorë, një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur këtë here qytetin e Lushnjes.
Për motive ende të paqarta, raportohet se 57-vjeçari Sofokli Shani ka ekzekutuar me armë zjarri tip “Kallashnikov” 62-vjeçarin Rako Qorri.
Plumbat kanë prekur edhe djalin e viktimës, 31-vjeçarin Kejdi Qorri, i cili është dërguar në spitalin e qytetit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia thotë se ka arritur të arrestojë autorin menjëherë pas ngjarjes, si dhe ka sekuestruar armën e krimit.