Një nga krimet më të rënda që na ka shoqëruar përgjatë këtyre viteve ka qenë rrëmbimi dhe zhdukja e biznesmenit të njohur shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.
Një vit më parë, kur u mbushën 25 vite nga një moment i tillë, familja ndërpreu kërkimet që i kishte vazhduar për çerek shekulli.
Djali i Hoxhës, Ardiani, që prej vitesh, u kishte bërë kërkesa institucioneve për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, u dorëzua! Përpjekjet e tij të shumta që shteti ta merrte seriozisht këtë çështje duket se nuk kishin më kuptim.
Nëpërmjet letrave zyrtare por edhe personalisht, Hoxha i kishte kërkuar kohët e fundit kryeministrit Edi Rama që të mundësonte rihapjen e kësaj çështje, ashtu siç edhe i kishte premtuar, për të mësuar më shumë në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e babait të tij, por asgjë nuk u bë.
Dënimin e atyre personave që urdhëruan vrasjen e babait të tij, Ardiani ia la Zotit në dorë.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë një nga të akuzuarit kryesorë të familjes Hoxha. Sipas tyre, mbi rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës kishte dorë ish-presidenti i asaj kohe Sali Berisha. Po sipas familjes Hoxha, gjatë këtyre viteve ai ka penguar zbardhjen e kësaj çështje.
Para një jave, ish-presidenti dhe ish-kryeministri u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.
Në vijim intervista e Ardianit dhënë për DITA:
–Ardian, ju keni akuzuar Sali Berishën për rrëmbimin dhe zhdukjen e babait tuaj, por cila ishte ndjesia që patët kur u informuat se ai (Sali Berisha) ishte shpallur “non grata” nga ShBA?
Kur u informova që Sali Berisha u shpall person “non grata” në ShBA, normalisht u ndjeva mirë pasi ishte një rikonfirmim i asaj që ne e kemi thënë dhe ditur prej shumë kohësh, që Sali Berisha është një njeri i lig, një njeri që ka bërë shumë krime, një kriminel.
Pra ka ardhur koha që të gjitha zullumet që ka bërë në këto 30 vite të dalin në shesh. Ndoshta tani është vetëm fillimi i daljes së tyre në dritë. Le të shpresojmë edhe njëherë…
Ai tani është në kohën e pleqërisë që normalisht do duhej të thotë se nuk ka më ndikim direkt në vendimet politike, por unë mendoj që, sa është gjallë ai do të jetë pengesë për të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Rrjedhimisht edhe për zbardhjen e krimeve të ndryshme që ka bërë dhe janë bërë në kohën e tij.
Shpresoj që shpallja ”non grata” të jetë vetëm fillimi i rënies së lavdisë që ai aq shumë e kishte kërkuar dhe ëndërruar, qoftë edhe duke shkelur mbi kufoma.
–E konsideroni të vonuar këtë vendim të Departamentit te Shtetit?
E konsideroj pak të vonuar të them të drejtën, por përsëri, si i thonë asaj fjalës së urtë popullore, “më mirë vonë se kurrë”. Mendoj se me këtë vendim është thyer akulli i Sali Berishës dhe tani mendoj se duhet të dalin të gjitha krimet që ai ka bërë, jo vetëm rrëmbimi dhe vrasja e babait tim.
Do të dëshiroja që sa të jetë gjallë t’i përjetojë të gjitha këto turpërime, dhe mos të shkojë në botën tjetër pa i ndjerë të gjitha këto poshtërime të cilat i meriton, një e nga një.
–Po reagimin e Berishës, faktin që do e hedh në gjyq për shpifje Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si e shikoni ju?
Propagandë dhe për të tërhequr vëmendjen në kah tjetër. Ai e ka shumë të vështirë të ndryshojë rrjedhën dhe është shumë qesharake kjo padi. Po kaq qesharake dhe e çmenduri e radhës është që thotë se është shpallur “non grata” për shkak të Kosovës.
–Mendoni se do dënohet?
Do të duhej, patjetër. Ai këtu ka qenë dhe krimet e tij i kemi parë ashiqare, por gjithashtu ka qenë i zoti për t’i mbuluar, megjithatë vjen një ditë kur jo gjithçka fshihet. Një ditë do të dalë boja.
Për aq vite jetë sa i kanë mbetur dhe sa është gjallë Sali Berisha, mendoj se do të këtë pleqërinë më të keqe që ka kaluar dikush. Do të ndihet i poshtëruar, do të ndihet keq për vetën, por edhe për pasardhësit e tij, të cilëve nuk u ka lënë vend në Shqipëri.