Dhoma Kombëtare e Zejtarisë certifikon 60 Ndihmësmjeshtra në sektorin e parukerisë dhe estetikës. Kjo u mundësua falë një bashkëpunimi të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë me Shoqatën e Përkujdesjes së Artit Trupor (SHPAT) dhe Qendrën Multifunksionale New Generation.
Për një periudhë 6 mujore në bazë të kontratës së miratuar nga Kryeministri e cila lidhet midis Ndihmësit dhe subjektit zejtar, ndihmësat janë trajnuar nga ana teorike dhe ana praktike ne sektorin e parukerisë dhe estetikës. Në përfundim të trajnimit është realizuar provimi për titullin Ndihmësmjeshtër me komisionin e ngritur nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë. Mbas kalimit me sukses të provimit për titullin Ndihmësmjeshtër Dhoma Kombëtare e Zejtarisë ka certifikuar 60 Ndihmësmjeshtra në sektorin e parukerisë dhe estetikës.
Në ceremoninë e shpërndarjes së titullit “Ndimësmjeshtër” ka qenë e pranishme edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Ajo vlerësoi suksesin e vetë profesionistëve të fushës, ndihmës mjeshtrave, por edhe mjeshtrave që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi të ndërtimit të karrierës së tyre, që sipas saj , janë dëshmi e ecurisë pozitive të tregut të punës, që tanimë po orientohet drejt zanateve dhe biznesit që zhvillon profesionistë që sjellë vlerë të shtuar në ekonomi.
Denaj u shpreh se gjatë viteve të fundit mbështetja buxhetore ka ardhur në rritje përmes buxhetimit në drejtim të tregut të punës, nëpërmjet arsimin dhe formimin profesional.
“Ne kemi sektorë shumë të rëndësishëm të ekonomisë që po performojnë pavarësisht pandemisë dhe situatës së vështirë që kaluam. Rigjallërimi i ekonomisë është sot një fakt. Tregu i punës është kthyer, madje ka kaluar dhe numrin e të punësuarve në vitin e kaluar. Në qershor të vitit të kaluar ne patëm një ulje në tregun e punës me gati 677.000 të punësuar sepse sigurisht pas mbylljes ekonomike pati një tkurrje dhe sot jemi në 679.000 të punësuar. Punësimi do të duhet gjithnjë të adresohet për të rritur më tej vlerat tuaja. Nuk dua të lë pas edhe inovacionin pasi edhe ai ka një vlerë shumë të rëndësishme dhe vëmendja e qeverisë shqiptare drejt inovacionit është akoma më shumë e fokusuar në programin ekonomik në mandatin e tretë qeverisës”, u shpreh Denaj.
Ndërsa Presidenti I Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Luan Bregasi theksoi rëndësinë që kanë zejtarët në aktivitetin e bizneseve dhe ekonomisë së përbashkët. Ai deklaroi se Dhoma do të shkojë në rrethe, aty ku ndodhen zejtarët për t’u dhënë mbështetjen që ka nevojë. për të zhvilluar më tej këtë proces, Bregasi kërkoi edhe përmirësime ligjore.
“Jemi në misionin tonë për të gjetur, promovuar dhe certifikuar zejtarët në Shqipëri. Kërkoj një mbështetje më të madhe ligjore që t’i ndërgjegjësojmë ndërmarrjet që në gjirin e tyre të kenë një mjeshtër”, u shpreh Bregasi.
Gjatë ceremonisë, Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Koli Sinjari informoi lidhur me aktivitetin dhe punën e bërë nga Dhoma për të mbështetur zejtarët në Shqipëri dhe për t’I ndihmuar ata të zhvillohen për të marrë titullin “”Mjeshtër”.