Fatbardh Kadilli është i pari politikan brenda radhëve të PD-së që kërkon largimin e Sali Berishës nga partia pas shpalljes non-grata nga SHBA-të.
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se Berisha me shumë bindje do ta shmangë përfshirjen e PD-së në këtë çështje, duke e bërë betejën nën emrin e tij.
Kadilli shton se sot Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet si dhe etikën që të mbrohet privatisht. Ai kërkon që Berisha ta sqarojë këtë çështje pa përfshirë partinë.
“Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij.
Në 30 vjetorin e vendosjes se marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.
Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.
Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë,”- shkruan Kadilli.