Aksidenti në autostradë që përfshiu edhe gazetaren, Mira Kazhani ka ardhur edhe një herë tjetër në vëmendje. Ishte vetë gazetarja Kazhani, që e ftuar në emisionin “Dritare” në News 24, nuk i ka fshehur emocionet kur u pyet për këtë çështje.
Sipas Kazhanit ngjarja ishte aq shumë e rëndë, saqë ajo nuk do ia uronte as armikut të saj më të madh. Por më tej ajo ka treguar se djali i përfshirë në këtë aksident tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe dalëngadalë po rikuperohet plotësisht.
“Djali e ka kapërcyer momentin e krizës me jetën, sigurisht do i duhet kohë për rikuperimin e plotë. Nuk e kisha parashikuar që do më pyesje. Duhet të jemi gati për tu përballur dhe me fatkeqësitë si e imja. Është një ngjarje e rëndë që s’do ia uroj as armikut. jam lutur shumë për shëndetin e atij djali, është shumë i ri, është shumë i vogël, nuk është si gjithë të tjerët as si unë, as si vajza jote. E kam përjetuar si gazetare, si vajze, është një gjë që ende më prek. Sulmet dhe spektakli i fotoshopeve i atyre që iu ka ngecur ora shumë mbrapa nuk më ka prekur se kisha një shqetësim të rëndësishëm, që ishte jeta e atij djali. Nuk ka rëndësi nëse ka apo jo faj. Ishte e premte kur e pashë djalin me drejtorin e spitalit, ishte tamam e premte. Kam nisur të besoj”, tha gazetarja, Kazhani.