Pas 2 vitesh pune dhe deklaratash pa fund, Reforma në Drejtësi përmbyllur pas votimit në Kuvend duke kaluar edhe ligjin e fundit, atë të shërbimit përmbarimor.
Ata që folën në Kuvend, ishin dy nga njerëzit më të rëndësishëm për këtë reformë, si Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj. Kryetari i komisionit të Ligjeve, Manja deklaroi se pengesat për reformën në drejtësi erdhën nga radhët e opozitës. Ai theksoi se në rrafshin politik, reforma është përballur dhe vazhdon të përballet me pengesa të ngritura nga PD, e cila ka bërë gjithçka që të pengojë zbatimin e kësaj reforme, por deri më tani nuk ka pasur sukses sipas deputetit socialist.
“PD dhe dashakeqësit e reformës në drejtësi, pasi nuk ia dolën ta pengojnë dot, në një përpjekje të fundit për ta bllokuar atë, kanë dalë në rrugë dhe nuk lënë medium kombëtar dhe ndërkombëtar pa folur duke thënë se jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Prokuror të Përgjithshëm etj”, tha Manja.
Sakaq, Ulsi Manja ka pasur një mendim disi më ndryshe. Ish-ministri i Brendshëm, tha se nuk ka qenë vetëm faji i Opozitës që Reforma në Drejtësi është vonuar. Për Xhafajn kanë qenë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në këto vonesa.
“Natyrisht nuk është herezi nëse pranojmë që jo të gjitha gjërat kanë ecur ashtu siç duhet në këtë proces zbatimi. Kjo lidhur me shpejtësinë e procesit të vettingut, ngritjen në kohë të këshillave të gjyqësorit dhe prokurorisë, vonesat e krijuara lidhur me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, SPAK etj. Janë probleme që rrjedhin kryesisht nga kompleksiteti i vet reformës, prej vonesave të krijuara nga kundërshtarët e saj brenda e jashtë sistemit e veçanërisht nga lidershipi politik opozitar, nga pengesat ligjore e institucionale të krijuara artificialisht në hallka të ndryshme të zbatimit të procesit etj. Natyrisht ka edhe problematika që lidhen me mungesën e shpejtësisë dhe qartësisë në vendimmarrje, me një koordinim jo shumë efikas në procesin e ngritjes së institucioneve, cilësinë e funksionalitetit të Këshillave të reja dhe sidomos të KLP, nga mbështetja e vonuar infrastrukturore e logjistike për institucionet e reja, mosmiratimin ende të ndryshimeve të imponuara nga vendimmarrjet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese etj, të tilla”, u shpreh Fatmir Xhafaj.