Deputeti i Partisë Socialiste Spartak Braho është shprehur se bordi i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit që drejtohet nga Agron Tufa përbëhet nga ballistë dhe pinjollët e tyre.
Në një intervistë për gazetën “Dita” Braho shprehet se ka besim të Kryeministri Rama se do të vendosë që ta shkrijë bordin e Institutit të Agron Tufës, pasi ka kryer shkelje ligjore.
Më tej, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare ka treguar arsyet pse është e nevojshme që të ngrihet Instituti i Kujtesës së Krimeve të Luftës së Dytë Botërore.
“Unë i besoj asaj që tha kryeministri Rama. Ai institut ka shkelur ligjin dhe ka dalë mbi ligjin. Kuvendi do të hetojë shkeljet ligjore dhe unë besoj se shkeljet janë flagrante dhe që e justifikojnë shkrirjen e bordit të atij instituti me Tufën në krye. Por, në të vërtetë, mua nuk më intereson ky institut, por ai që do të ngrihet. Pra do të ngrihet Instituti i Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore. Për ngritjen e një instituti të tillë është marrë një nismë qysh në qershor 2016, pra tre vjet më parë. Janë 30 deputetë që e kanë firmosur atë nismë,me në krye Olta Xhaçkën, ministren aktuale të Mbrojtjes. Bëjnë pjesë në të Pandeli Majko, Erion Braçe, Blerina Gjylameti, Fatmir Xhafa, Ulsi Manja, Valentina Leskaj, e të tjerë. Lexoni emrat e tyre në faksimile. Nuk i di arsyet pse u ndërpre një nismë e tillë”, tha ai.
Më tej Braho shtoi se: “Por, ne do të kërkojmë ngritjen e një instituti të tillë në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Është një domosdoshmëri kjo. Nuk më intereson instituti i Tufës, i cili e ka humbur funksionin dhe qëllimin e tij. Lexoni emrat në bordin e atij instituti dhe do të bindeni. 99 për qind janë ballistë dhe pinjollë ballistësh. Ata kërkojnë ta kthejnë përmbys historinë tonë. A do talerojmë një gjë të tillë? Kjo është çështja”, ka thënë Spartak Braho.
Ligjvënësi socialist akuzon më tej se Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka si qëllim që të hedh baltë mbi luftën antifashiste të Shqipërisë.
Ai i quan anëtarët e këtij bordi si neofashistë të rinj. “Sulmet që i bëhen antifashizmit shqiptar janë me qëllime shumë të këqija. Janë sulme që vijnë nga neofashistët e rinj. Prandaj them se antifashizmi jo vetëm se ka qenë një kauzë shumë përparimtare për kohën 70 e ca vite më parë,por edhe sot e kësaj dite mendoj se mbetet një aspiratë. Përndryshe historia mund të përsëritet, madje më e dhimbshme”, shprehet ai.
Spartak Braho e ka quajtur si paradoks që pranë memorialit të ushtarakëve anglez tek Kodrat e Liqenit u shtuan dhe sipas tij kolaboracionisti Mit’hat Frashëri.
“Në luftën tonë antifashistë partizanët shqiptarë janë mbështetur fuqimisht edhe nga anglezët, edhe nga amerikanët, madje dhe nga italianët që kanë luftuar në Shqipëri dhe që më pas u rreshtuan në brigadat partizane. Janë dhjetëra e qindra të rënë prej tyre përkrah partizanëve shqiptarë. Sipas logjikës së Tufës edhe ata duhen shpallur kriminelë sepse luftuan kundër fashizmit. Memorialet e ushtarëve anglezë të rënë në luftën tonë janë te Kodrat e Liqenit, çuditërisht pranë vëllezërve Frashëri, ku u shtua edhe kolaboracionisti Mit’hat kohët e fundit. Çfarë paradoksi! Sipas logjikës së Tufës edhe anglezët e vrarë në Shqipëri si antifashistë duhen shpallur “kriminelë”. Edhe Gjenerali anglez Dejvis që ballistët e dorëzuan te gjermanët duhet shpallur kriminel. Edhe shefi i misionit amerikan, Tom Stefan, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm, duhet shpallur kriminel. Por edhe ata qindra ushtarë italianë që pas kapitullimit të Italisë u rreshtuan në radhët e brigadave partizane e ranë dëshmorë për lirinë tonë, duhen shpallur kriminelë. Mes tyre është edhe italiani antifashist mitralieri Ettore Monavolta që ruajti për 30 vjet portofolin e dajës tim”, shprehet Braho