Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Tepelenë- Mallakastër pranë fshatit Krahës.
Si pasojë e përplasjes janë plagosur pesë persona, mes tyre dhe një fëmijë i moshës 9 vjeç.
Mësohet se automjeti tip “Toyota” me targa greke po shkonte në drejtimin verior drejt Tiranës, ndërkohë që i është prerë rruga nga një kamionçinë që po vinte nga një rrugë dytësore e fshatit.
Për rrjedhojë përplasja ka qenë e fortë pasi kamionçina ka hyrë në rrugën kryesore pa sinjal, sipas informacioneve që vinë nga grupi hetimor që ka mbërritur në vendngjarje.
Ky veprim shkaktoi lëndimin e të gjithë personave që gjendeshin në bordin e autoveturës që vinte nga Greqia.
Sipas burimeve në makinë udhëtonte një çift bashkëshortësh nga Fieri bashkë me fëmijën e tyre, si dhe gjyshi dhe tezja e fëmijës.
Të pestë të lënduarit janë shtruar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ndërkohë që njeri prej të lënduarve, që është bashkëshortja e drejtuesit të mjetit është shtruar në reanimacion me plagë të rënda.