Kompania e pajisjeve industriale nga Fieri, “W. Center”, e cila duket se ka pasur sukses vetëm në tenderat e institucioneve të drejtuara nga Erion Veliaj në kryeqytet, është shpallur së fundmi fituese e tenderit 1.3 milionë euro, pa garë, të zhvilluar nga Ujësjellësi i Tiranës.
Në 23 Prill 2020, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, strukturë në varësi direkte të kryebashkiakut Veliaj, ka njoftuar kompaninë fierake se ishte shpallur fituese në procedurën e prokurimit publik për “Blerje klori”.
Në bazë të të dhënave të portalit të specializuar “openprocurment”, rezulton se, prej vitit 2016 e në vijim, kompania “W.Center”, në tenderat e zhvilluar nga pushteti lokal, është shpallur fituese vetëm në procedurat e organizuara nga Bashkia e Tiranës, me një total të fondit limit në mbi 5 milionë euro
Tenderi 1.3 mln euro pa garë për klorin
Në 9 Mars, Ujësjellësi i Tiranës shpalli tenderin për blerje klori për 12 muajt e ardhshëm. Fondi limit për këtë tender ishte përllogaritur në mbi 132 milionë lekë të reja pa TVSH, rreth 1.3 milionë euro, me një shumatore çmimi për njësi 124 lekë.
Në mbyllje të tenderit rezultoi se kishin marrë pjesë vetëm dy operatorë ekonomikë. E, konkretisht, “W. Center” dhe “Albania Distribution Chem”.
Pas hapjes së ofertave, komisioni i tenderit vendosi skualifikimin e kompanisë “Albania Distribution Chem”, për shkak se ajo nuk kishte dorëzuar ofertë ekonomike.
Për këtë arsye, fituese e tenderit 1.3 milionë euro u shpall kompania tjetër pjesëmarrëse, “W. Center”, e cila kishte dhënë një ofertë rreth 20 mijë euro më të ulët se sa fondi limit.
Në dokumentat e tenderit rezulton se “W. Center” ka paraqitur ofertën me shumatore të çmimeve për njësi 122 lekë, pa tvsh. Në total, shoqëria fituese ka ofruar shërbimi për një vlerë prej afërsisht 131 milionë lekë të reja.
Kompania fierake, tendera vetëm tek “Lali”
Shoqëria “W.Center” ka selinë qendrore në Fier, si edhe ka një zyrë përfaqësimi në Tiranë.
Në një verifikim në portalin “openprocurment”, konstatohet se, në tenderat e zhvilluar nga njësitë e pushtetit vendor, kompania është shpallur fituese vetëm në tenderat e zhvilluar nga bashkia e Tiranës, që prej kohës kur ajo drejtohet nga Erion Veliaj.
Sipas të dhënave të portalit informativ, tenderi i parë që ka fituar ‘W.Center” në Tiranë është një procedurë për blerje sobash.
Në vijim, “W.Center” është shpallur fitues në 14 procedura tenderuese, të cilat kanë pasur një fond limit në total prej mbi 500 milionë lekë të reja pa TVSH, rreth 5 milionë euro.
Kompania “W. Center” iu shmang një komenti të kërkuar zyrtarisht nga “Boldnews.al”, në lidhje me ato që mund të konsiderohen si “tendera pa garë”./Boldnews/