‘Garda e Republikës ka dy pjesë, pjesa e Bashkisë Tiranës do t’i kthehet si 2.5 ha, parkut të Tiranës. Kështu që me një vendim qeveria, kryeministri Rama dhe ministrat i dhanë dhe i falën qytetit një hapësirë që ishte një zonë e paaksesueshme nga qytetarët kryesisht për mjete të ushtrisë dhe të Gardës por tani e gjitha do të shkojë në administrim të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit”.
Ishte ky premtimi që kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj u bëri vitin e kaluar banorëve të Tiranës për të mos betonizuar hyrjen e liqenit artificial. Madje premtoi se pjesën e Gardës së Republikës që administronte Bashkia do ta vinte në funksion të parkut duke falenderuar edhe kreun e qeverisë për vendimin që kishte marrë me VKM.
Në shtatorin e vitit kaluar PD e denoncoi këtë fakt duke publikuar dokumentet e firmosura se në këtë vendim nuk bëhej fjalë thjesht për një dhuratë për kryeqytetasit, por për një plan të mirëfilltë për ndërtimin e kullave pikërisht në hyrje të liqenit në zonën e ish-Gardës.
Edhe pas disa muajsh PD deklaron të njëjtën gjë. Zëdhënësja demokrate Ina zhupa akuzon kryebashkiakun Veliaj për mashtrim duke zbuluar edhe arsyen.
“Zona tek Garda e Republikës nuk do t’i kthehet Parkut tek Liqeni Artificial, por bashkia po bën gati infrastrukturën për kullat private që do të ndërtohen në këtë zonë.” -U shpreh Ina Zhupa.
Sipas PD, teksa priste shpalljen e rikandidimit për mandatin e dytë, Erjon Veliaj 4 ditë më parë kishte hapur tenderin për ndërtimin e një rruge të re me gjatësi prej 650 metra, me qëllim favorizimin e oligarkëve që do të ndërtojnë aty kullat.
“Rruga nuk ka asnjë vlerë të shtuar për qytetin, por ajo do të marrë rreth 2 milion euro nga taksat e qytetarëve për t’i shërbyer klientëve të Ramës dhe Veliajt. Oligarkët do ta kenë rrugën të hapur për të ndërtuar kulla mbi 29 metra lartësi dhe mbi 9 kate, me shërbime, parking dhe banim.”
Duke e akuzuar Veliajn se është në shërbim të pastrimit të parave PD kërkon prej tij përgjigjen e këtyre pyetjeve:
• Pse hesht Veliaj para qytetareve që duan të dinë fatin e mushkërive të vetme të qytetit?
• Cilit oligark ia ka premtuar Veliaj ndërtimin e kullave në Parkun e Liqenit artificial dhe sa para të pista do të pastrohen në tokë publike?
• Cilat janë interesat dhe fitimet e Veliajt dhe të shefit të tij në këtë aferë betonizimi të Parkut?
Tenderi për ndërtimin e një hapësire të re rrugore u hap nga bashkia e Tiranës pak ditë më parë. Rruga do të ketë gjatësinë prej 650 metrash dhe e ndarë në dy segmente.
Segmenti i parë, sipas projektit përfundimtar me gjatësi prej 200 m fillon në kryqëzimin e rrugës së Kosovarëve dhe përfundon në kryqëzimin e rrugëve “Dora D’istria” me rrugën Sami Frashëri, ndërsa segmenti i dytë ka një gjatësi 450 m.
Terreni ku segmenti në fjalë parashikohet të kalojë është shpati i kodrës, në krah të Parkut të Liqenit, i cili përfshihet brenda territorit të Ish-Gardës./TPZ/