Ditën e sotme Operacioni Forca e Ligjit ka vijuar aksionin për goditjen e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme.
Kështu mësohet se u është dërguar formulari i deklarimit katër personave, të dënuar më parë për vrasje dhe trafik droge.
Ata kanë 48 orë kohë për deklarimin e pasurisë.
OFL bën të ditur se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– Uran Skuka, banues në Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”;
– Artan Buci, banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
– Eltion Daçi, banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
– Skender Topalli, banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 25 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL po ashtu thekson se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.