Nga Aurora Sulçe
Edhe pse po mbushet 1 muaj nga prezantimi që kryeministri Rama i bëri paketës së dytë financiare për përballimin e kostove të COVID 19 në ekonomi, garancia sovrane prej 150 milionë dollarë e vënë në dispozicion të biznesit ende nuk është aktivizuar. Kujtojmë që ky është instrumenti i vetëm që qeveria ka marrë për të ndihmuar sipërmarrjen, nëpërmjet të cilit bizneset në vështirësi mund të marrin kredi në banka për likuiditet dhe qeveria mbulon interesat dhe jep garanci, pa qenë nevoja për kolateral.
Por teksa biznesi pret, ministri Arben Ahmetaj i ngarkuar nga Rama për menaxhimin e situatës së COVID 19 deklaroi ditën e premte në emisionin Opinion se garancia sovrane do të ishte gati të hënën ose maksimumi të martën. U interesova pranë sistemit bankar për tu informuar nëse marrëveshja mes bankave tregtare dhe qeverisë për vënien në punë të garancisë sovrane ishte lidhur dhe përgjigjja ishte negative. Pra, marrëveshja për garancinë sovrane mes Ministrisë së Financave dhe bankave ende nuk është nënshkruar. “Me kismet, të shohim në ditët në vijim”, ishte përgjigja.
Kjo nuk është hera e parë që Arben Ahmetaj gënjen publikun. Po gjatë pjesëmarrjes në Opinion po atë të premte, ai iu tha shqiptarëve një tjetër gënjeshtër të madhe. Sipas ministrit të “preferuar” të Ramës për çështjet ekonomike, dy paketat financiare që qeveria ka akorduar deri më tani kapin vlerën e 5.41% të GDP. Ky është mashtrim. Paketa e parë financiare është sa 1.4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe këtë e vërteton edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën, ku i akordoi qeverisë shqiptare kredinë prej 174 milionë euro (më poshtë deklarata zyrtare e zyrës së FMN në Tiranë).
Paketa e dytë financiare kap në total një vlerë prej 220 milionë dollarë, ekuivalent më 1.2% të GDP-së. Sipas një mbledhje të thjeshtë, që e kemi mësuar të gjithë në klasën e parë fillore, 1.4 + 1.2= 2.6%. Kaq bëjnë dy paketat e qeverisë Rama 2 dhe janë shumë larg shifrës prej 5.41% që Arben Ahmetaj pohoi para shqiptarëve pa iu dridhur syri. Në këto kushte dy janë rrugët: ose Arben Ahmetaj nuk di të numërojë (mund edhe të ndodhë, pasi nuk ka diplomë në ekonomi) ose gënjen. Në të dyja rastet, mjerë shqiptarët se kush i menaxhon paratë e tyre!