Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se qeveria synon të ndryshojë tërësisht qasjen ndaj politikave të strehimit, duke zgjeruar mbështetjen jo vetëm për familjet në pamundësi ekonomike, por edhe për të rinjtë dhe çiftet e reja që përballen me vështirësi për të siguruar një banesë. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2027, Rama u shpreh se strehimi është një nga sfidat kryesore për dy kategori të shoqërisë: pensionistët dhe të rinjtë. Sipas tij, qeveria nuk mund ta konsiderojë si një realitet të pandryshueshëm faktin që çiftet e reja e kanë gjithnjë e më të vështirë të krijojnë një shtëpi dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Kreu i qeverisë bëri të ditur se në Kuvend do të kalojë edhe një ligj i ri për strehimin, i cili parashikon një transformim të politikave mbështetëse dhe zgjerim të kategorive përfituese.
“Ne nuk mund ta pranojmë si një realitet të pandryshueshëm që një çift i ri që përpiqet ta shohë të ardhmen në Shqipëri, ta ketë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojë një çati mbi kokë”, deklaroi Rama.
Ai u ndal edhe te ndërtimi dhe zhvillimi urban, duke theksuar se qeveria nuk synon të pengojë ndërtimin e kullave, por të përfitojë më shumë prej tyre përmes taksave që kontribuojnë në fondin e strehimit. Sipas Ramës, duke përfshirë mbështetjen e parashikuar në buxhet dhe masat që do të vijnë përmes ligjit të ri, nga qasja e re për strehimin pritet të përfitojnë gjithsej 10 mijë familje. Kjo nismë synon të adresojë vështirësitë në përballimin e kostove të banimit, veçanërisht për të rinjtë që kërkojnë të bëhen të pavarur dhe të krijojnë familjet e tyre.







