Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ka paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë pesë kërkesa kryesore për ndryshimin e politikave fiskale që prekin tregun e pasurive të paluajtshme, me synimin për të lehtësuar aktivitetin e bizneseve, nxitur shitblerjet dhe përmirësuar formalizimin e tregut. Një nga propozimet kryesore lidhet me pragun e regjistrimit në TVSH. NAREA kërkon që, edhe në rast të uljes së tij, pragu të mos jetë më i ulët se 8.5 milionë lekë. Shoqata propozon gjithashtu që për bizneset me xhiro nga 8.5 deri në 10 milionë lekë, detyrimi të nisë nga 1 korriku 2027, si dhe të zbatohet toleranca prej 10% për subjektet që e tejkalojnë pragun gjatë vitit.
Një tjetër kërkesë lidhet me tatimin mbi fitimin kapital nga shitja e pronës, i cili aktualisht është 15%. Shoqata kërkon përjashtimin nga tatimi të banesës kryesore pas disa vitesh mbajtjeje, indeksimin e vlerës me inflacionin, uljen e tatimit në varësi të periudhës së zotërimit dhe lehtësi fiskale për rastet kur të ardhurat riinvestohen. Sipas NAREA-s, Shqipëria renditet ndër vendet më pak të favorshme në Evropë për këtë aspekt të taksimit. Shoqata argumenton se lehtësimi i barrës fiskale do të nxiste nxjerrjen në treg të banesave të vjetra, do të ulte kostot e strehimit dhe do të zgjeronte bazën tatimore përmes formalizimit. Në argumentimin e saj, NAREA i referohet edhe ecurisë së tregut, duke theksuar se kontratat e shitjes së apartamenteve janë rritur me 88% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, të ardhurat nga tatimi mbi shitjen e pronës kanë arritur në 8.3 miliardë lekë vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti, duke tejkaluar të gjithë vitin 2025.
Sa i përket supertaksës së pronës, shoqata propozon një qasje graduale, ku fillimisht të përdoren incentivat fiskale dhe më pas, nëse është e nevojshme, masat ndëshkuese. Konkretisht, kërkohet tatim 0% mbi të ardhurat nga qiraja për 36 muaj për banesat që hyjnë në tregun formal të qiradhënies, përfshirë edhe pronat aktualisht të pabanuara, si dhe ulja e tatimit për qiratë afatgjata nga 15% në 10%. NAREA sugjeron që supertaksa të aplikohet vetëm pas vitit 2029, në zonat me presion të lartë të tregut dhe me përjashtime të qarta për banesat në pronësi të emigrantëve.
Një tjetër çështje e ngritur është rishikimi i çmimeve të referencës për pronat dhe i metodologjisë së taksës së pasurisë. Sipas të dhënave të shoqatës, transaksionet e shitblerjes mbyllen 10–15% nën çmimet e publikuara në portale, ndërsa brenda Tiranës vlera e apartamenteve varion nga më pak se 1,300 euro deri në mbi 3,000 euro për metër katror, në varësi të zonës. Për këtë arsye, shoqata kërkon që çmimet e referencës të bazohen në çmimet reale të shitjes, të përcaktohen sipas zonave, të përditësohen të paktën një herë në vit dhe të zbatohen në mënyrë të shkallëzuar. Sipas NAREA-s, vetëm gjatë këtij viti Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka regjistruar mbi 16 mijë kontrata apartamentesh, duke krijuar një bazë të dhënash për një përllogaritje më të saktë. Në përfundim, NAREA kërkon që çdo ndryshim tatimor me ndikim te bizneset të njoftohet të paktën gjashtë muaj përpara hyrjes në fuqi dhe të shoqërohet me një vlerësim të ndikimit rregullator, në mënyrë që subjektet të kenë kohën e nevojshme për t’u përshtatur me rregullat e reja.






