Regjistrimi i automjeteve të reja dhe rinovimi i flotës së mjeteve në Shqipëri kanë shënuar rritje gjatë periudhës janar-tetor 2026. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë dhjetë muajve të parë të vitit janë regjistruar për herë të parë 81,761 mjete, ku autoveturat përbëjnë pjesën dërrmuese, me rreth 79.3% të totalit.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është zgjerimi i flotës së automjeteve elektrike. Në periudhën janar-tetor janë regjistruar 8,891 mjete plotësisht elektrike, me një rritje prej 93% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas DPSHTRR-së, përdorimi i këtyre automjeteve sjell edhe përfitime mjedisore, me një reduktim të përllogaritur prej mbi 11.7 milionë kilogramësh dioksid karboni në vit. Paralelisht, të dhënat tregojnë se tregu po orientohet drejt automjeteve më të reja dhe me standarde më të larta mjedisore. Gjatë dhjetëmujorit janë regjistruar mbi 21,500 automjete të moshës nga zero deri në katër vjeç, ose 31% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, 83.3% e autoveturave të regjistruara për herë të parë plotësojnë standardin mjedisor Euro 5 e lart. Edhe te automjetet me zero kilometër vihet re një orientim drejt teknologjive alternative, pasi 73.1% e tyre janë elektrike, hibride ose Plug-in Hybrid.
Në të njëjtën kohë, vijon edhe largimi nga qarkullimi i automjeteve të vjetra. Gjatë periudhës janar-tetor janë çregjistruar përfundimisht 8,570 mjete, me një moshë mesatare prej 22 vitesh. Numri i tyre është rritur me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sa i përket origjinës së automjeteve të regjistruara, në krye renditet Koreja e Jugut me 26.3% të totalit, e ndjekur nga Kina me 16.2%. Më pas vijnë Gjermania me 12%, Italia me 11.4%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8.1% dhe Zvicra me 6.9%. Të dhënat e dhjetëmujorit tregojnë një ndryshim gradual të strukturës së flotës së automjeteve në Shqipëri, me rritje të regjistrimeve të mjeteve elektrike dhe atyre më të reja, si dhe me shtim të çregjistrimeve përfundimtare të automjeteve të vjetra.







