Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2027 për institucionin që drejton, duke u ndalur te masat që synojnë rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe punonjësve, lehtësimin e kostove të jetesës dhe mbështetjen për strehimin dhe punësimin.
Për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit është parashikuar një buxhet prej rreth 42 miliardë lekësh. Pjesën më të madhe të financimit e zënë sigurimet shoqërore, me 28.13 miliardë lekë, ndërsa 5.07 miliardë lekë do të shkojnë për arsimin profesional, 3.8 miliardë lekë për programet e tregut të punës dhe 1.2 miliardë lekë për strehimin.
Një nga masat kryesore të prezantuara nga ministrja lidhet me rritjen e mbështetjes për pensionistët. Sipas Ibrahimajt, në vitin 2027 shtesat mujore do të dyfishohen për të gjitha kategoritë. Konkretisht, pensionistët me pension të plotë urban do të përfitojnë 3,600 lekë në muaj, nga 1,800 lekë që marrin aktualisht. Për pensionet urbane të pjesshme shtesa do të rritet në 1,600 lekë, për pensionet rurale në 2,000 lekë, për pensionet familjare në 1,400 lekë dhe për pensionet e invaliditetit të punës në 1,200 lekë.
Për këtë skemë janë parashikuar 20 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa 4 miliardë lekë të tjera do të përdoren për indeksimin e pensioneve, i cili planifikohet të nisë në muajin prill. Në total, financimi për shtesat mujore dhe indeksimin arrin në 24 miliardë lekë.
Në fokus të prezantimit ishte edhe paketa fiskale, e cila parashikon ndryshime në tatimin mbi pagat. Pragu i të ardhurave që tatohen me normën 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj. Sipas Ibrahimajt, një punonjës me pagë bruto 250 mijë lekë do të paguajë rreth 5 mijë lekë më pak tatim çdo muaj, ndërsa nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 32,200 të punësuar.
Një tjetër ndryshim lidhet me TVSH-në për produktet ushqimore. Qeveria propozon uljen e normës nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës bazë, mes tyre mish, peshk, qumësht, kos, vezë, miell, oriz, makarona, fruta, perime dhe ushqime bazë për fëmijët. Sipas ministres, kjo masë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 12.8 miliardë lekë në vit, ndërsa çmimet do të monitorohen përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve”.
Paralelisht, Paketa Fiskale parashikon rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Sa i përket strehimit, Ibrahimaj bëri të ditur se synohet të vihen në dispozicion 10 mijë çelësa për qytetarët, përmes subvencionimit të interesave të kredive dhe qirave, me fokus çiftet e reja dhe studentët e masterit.
Ministrja u ndal edhe te programet e punësimit dhe mbështetjes së sipërmarrjes, duke përmendur zgjerimin e Garancisë Rinore në të gjithë vendin, nxitjen e punësimit të të rinjve dhe financimin e inovacionit. Ajo bëri gjithashtu të ditur se është përfunduar konsultimi publik për projektligjin “Made in Albania”, që synon nxitjen dhe promovimin e prodhimit vendas, ndërsa po punohet edhe për një nismë të re për përshpejtimin industrial.
Sipas Ibrahimajt, projektbuxheti synon që rritja ekonomike të përkthehet në më shumë të ardhura për familjet, pensionistët dhe punonjësit, si dhe në mundësi të reja për bizneset dhe të rinjtë.







