Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të shitjes me pakicë të naftës, duke përcaktuar një tavan të ri prej 204 lekësh për litër. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, më 18 nëntor, dhe hyn në fuqi prej orës 13:30. Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë të gazoilit nuk do të jetë më shumë se 204 lekë/litri, ndërsa ai i shitjes me shumicë do të jetë maksimumi 192 lekë/litri. Edhe për benzinën është përcaktuar një çmim i ri tavan. Ajo do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 163 lekë/litri dhe me shumicë jo më shumë se 151 lekë/litri.
Ndërkohë, çmimi i gazit për automjetet do të jetë 71 lekë/litri në shitjen me pakicë dhe 59 lekë/litri në shitjen me shumicë. Për aktivitetin e peshkimit, çmimi i gazoilit është përcaktuar në 109 lekë/litri.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rivlerësohet situata në treg dhe do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme. Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të përcaktuara, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve dhe synon mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme.







