Ndërtimi i Bypass-it të Tiranës ka avancuar në nivelin 50% për dy lotet e para, ndërsa për segmentin e mbetur prej 11 kilometrash pritet miratimi i marrëveshjes së financimit brenda tremujorit të parë të vitit 2027. Projekti synon të lehtësojë trafikun në kryeqytet dhe të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me atë Tiranë-Elbasan.
Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës kanë arritur në rreth 50% të realizimit për dy lotet e para të kontraktuara. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektuan ecurinë e projektit, i cili konsiderohet një aks strategjik për lidhjen e Korridorit Blu.
Rama deklaroi se bypass-i do të ndihmojë në reduktimin e fluksit të automjeteve në hyrje dhe dalje të kryeqytetit, duke mundësuar që një pjesë e trafikut të vijojë drejt jugut pa kaluar nëpër Tiranë. Ministri Enea Karakaçi bëri të ditur se për segmentin e mbetur prej 11 kilometrash, financimi parashikohet përmes BERZH-it, ndërsa projekti ka përfituar edhe një grant prej rreth 53 milionë eurosh, ose afërsisht 40% të financimit, nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, marrëveshja e financimit pritet të miratohet brenda tremujorit të parë të vitit 2027, për të vijuar më pas me punimet. Karakaçi njoftoi gjithashtu se për aksin Kashar-Lekaj është miratuar projekti i zbatimit dhe ai teknik, ndërsa ndërtimi pritet të nisë brenda vitit. Shpronësimet e para për koncesionin Kashar-Rrogozhinë parashikohen gjatë muajit nëntor.
Bypass-i i Tiranës parashikohet të ketë një gjatësi totale prej rreth 21.6 kilometrash, me dy korsi për secilin drejtim dhe katër nyje kryesore lidhëse. Dy lotet e para përfshijnë rreth 8.2 kilometra, me një investim prej 5.9 miliardë lekësh. Projekti do të lidhë nyjën e Kasharit me zonën e TEG-ut, duke anashkaluar hyrjen në kryeqytet dhe duke krijuar një lidhje të rëndësishme mes autostradave Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Elbasan.







