Bashkia e Tiranës ka shpallur rreth 1,500 fituesit e radhës nga aplikimet për programin social të subvencionimit të interesave të kredive, që synon të ndihmojë familjet të blejnë një banesë në kryeqytet.
Lista e aplikuesve të shpallur fitues është dërguar për miratim në mbledhjen e muajit tetor të Këshillit Bashkiak. Deri në miratimin përfundimtar, procedurat për përfitimin e kredisë së butë nuk mund të vijojnë.
Programi parashikon subvencionimin e interesave të kredisë për blerjen e një apartamenti në Tiranë, me synimin për të lehtësuar barrën financiare të familjeve që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Sipas kushteve të skemës, kredia përfitohet me një normë interesi prej 3%.
Pas miratimit të listës pas 5 ditësh nga Këshilli Bashkiak, fituesit do të duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë me të coat Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje, për të vijuar procedurat e përfitimit të kredisë.
Vlera e kredisë përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të programit.
Për familjet që përballen me çmime të larta të banesave dhe vështirësi për të siguruar një shtëpi, kjo skemë përbën një mundësi për të përfituar financim me kushte më të favorshme. Megjithatë, shpallja e fituesve nuk përbën ende fazën përfundimtare, pasi lista duhet të marrë miratimin e Këshillit Bashkiak.








