Ka nisur procesi i digjitalizimit të hartave kadastrale në Bashkinë Krujë, ku do të përfshihen gjithsej 43 zona kadastrale. Punimet do të zhvillohen sipas një kalendari të përcaktuar, me synim modernizimin dhe përditësimin e informacionit mbi pronat në sistemin kadastral. Procesi do të nisë me inventarizimin dhe skanimin e planshetave të hartave ekzistuese. Më pas do të vijojë gjeoreferimi, për përcaktimin e pozicionimit të saktë gjeografik të të dhënave, dhe në fazën përfundimtare do të kryhet digjitalizimi dhe integrimi i hartave në sistem.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të punimeve, qytetarët duhet të kenë parasysh kufizimet e përkohshme në marrjen e disa shërbimeve kadastrale. Sipas njoftimit, shërbimet që kërkojnë ndërhyrje mbi hartën kadastrale do të pezullohen përkohësisht në zonat ku po punohet, me një afat që mund të zgjasë deri në 21 ditë, në varësi të kalendarit të ndërhyrjeve. Ndërprerja nuk do të prekë të gjitha shërbimet, pasi ato që nuk lidhen drejtpërdrejt me hartën kadastrale do të vijojnë të ofrohen normalisht. Për qytetarët që planifikojnë të kryejnë procedura mbi pronat, rekomandohet të informohen paraprakisht për kalendarin e punimeve në zonën e tyre.







