Mbi 43 mijë tatimpagues në të gjithë vendin kanë përfituar rimbursimin e tatimit të mbipaguar përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA 2025. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, deri më 30 shtator 2026, paratë janë kaluar në llogaritë bankare të 42.132 individëve që kanë rezultuar me tepricë kreditore dhe kanë aplikuar për rimbursim.
Vlera totale e tatimit të mbipaguar të kthyer për këta përfitues arrin në 597.8 milionë lekë, ose rreth 6.84 milionë euro. Ndërkohë, edhe 1.430 tatimpagues të tjerë, të cilët kishin deklaruar me vonesë llogaritë e tyre bankare, janë rimbursuar me një shumë totale prej 217 mijë eurosh. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për DIVA 2025 janë dorëzuar gjithsej 164.263 deklarata, me një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2025. Nga skema kanë përfituar gjithashtu 77.077 individë përmes zbritjeve tatimore për fëmijët nën 18 vjeç. Në total, sistemi ka gjeneruar 1.4 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro, për rimbursimin e individëve me tepricë kreditore.
Një tjetër element i rëndësishëm është se tatimpaguesit nuk kanë një afat të përcaktuar për të kërkuar rimbursimin. Teprica kreditore nuk humbet nëse nuk tërhiqet menjëherë, por mund të kërkohet edhe pas dy ose më shumë vitesh. Përfitues të rimbursimit janë individët me të ardhura vjetore nga punësimi prej 1.2 milionë lekësh dhe më shumë, të cilët kanë dorëzuar DIVA 2025 dhe kanë aplikuar përmes sistemit e-Filing. Ata përfitojnë zbritje tatimore për fëmijët në ngarkim.
Ndërsa individët me të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë, të cilët e kanë plotësuar vullnetarisht deklaratën, përveç zbritjes për fëmijët në ngarkim, mund të përfitojnë edhe zbritje për shpenzimet arsimore. Për njohjen e këtyre shpenzimeve kërkohet faturë e fiskalizuar, e cila përbën dokumentin ligjor përkatës, ndërsa si dokumentacion mbështetës mund të përdoren edhe kontratat me institucionet arsimore. Mekanizmi i zbritjeve tatimore përmes DIVA 2025 është një lehtësi fiskale e aplikuar për herë të parë, që synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve dhe të nxisë deklarimin e saktë të të ardhurave.






