Kryeministri Edi Rama ka propozuar zhvillimin e një debati kombëtar deri më 9 maj, me fokus të ardhmen ekonomike të Shqipërisë, modelin e zhvillimit dhe politikat që duhet të ndiqen për të rritur mirëqenien e qytetarëve.
Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama deklaroi se vendi duhet të diskutojë përtej përplasjeve politike dhe protestave, duke u përqendruar te zgjedhjet ekonomike që do të përcaktojnë zhvillimin në vitet e ardhshme.
“Debati për Shqipërinë është ky: duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh, ore çfarë Shqipërie duam”, u shpreh kryeministri. Ai theksoi se një prej çështjeve kryesore të diskutimit duhet të jetë raporti mes investimeve, krijimit të pasurisë dhe rishpërndarjes së saj.
Sipas Ramës, Shqipëria ka nevojë për më shumë investime dhe sipërmarrje për të zgjeruar ekonominë dhe për të krijuar hapësira për politika më të mëdha sociale. Kryeministri argumentoi se rishpërndarja nuk mund të mbështetet te varfëria, por te pasuria e krijuar përmes zhvillimit ekonomik.






