Sistemi bankar shqiptar vijon të mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht dëmeve materiale të shkaktuara gjatë protestave të ditëve të fundit. Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), Bledar Shella, deklaroi se rreth 85% e degëve bankare në Tiranë janë aktualisht të hapura dhe ofrojnë shërbime pothuajse me orar të plotë, ndërsa siguria e depozitave të qytetarëve dhe bizneseve nuk është cenuar.
Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të mërkurë në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, Guvernatorit Gent Sejko dhe drejtuesve të bankave tregtare, Shella përcolli garanci për funksionimin e sektorit bankar dhe vijimësinë e shërbimeve financiare, pavarësisht situatës së krijuar nga protestat.
Sipas të dhënave të bëra publike nga kreu i Bordit Mbikëqyrës të AAB-së, gjatë protestave janë dëmtuar gjithsej 45 degë bankare, nga të cilat 24 kanë pësuar dëmtime më të rënda. Gjithashtu, janë dëmtuar 53 bankomate, duke krijuar vështirësi në aksesin e qytetarëve në shërbimet bankare në zona të caktuara.
Sektori ka marrë masa për rikthimin gradual të aktivitetit. Aktualisht, rreth 15% e degëve bankare në Tiranë vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa pjesa tjetër ka rifilluar ofrimin e shërbimeve. Një nga mesazhet kryesore të përcjella nga drejtuesi i AAB-së lidhet me sigurinë e kursimeve të qytetarëve dhe bizneseve, në kushtet kur dëmtimi i infrastrukturës bankare ka ngritur shqetësime për vijimësinë e shërbimeve.
“Dëmi i një dege banke është një dëm fizik i pronës, por nuk është se në degët bankare mbahen paratë e qytetarëve apo depozitat. Dega është vendi ku ne u shërbejmë qytetarëve dhe dëmtimi i tyre thjesht vështirëson ofrimin e shërbimit”, u shpreh Shella.
Ai theksoi se dëmtimet fizike të godinave dhe pajisjeve bankare nuk nënkuptojnë humbjen e depozitave dhe as cenimin e funksionimit të sistemit bankar në tërësi.
Sipas tij, bankat shqiptare kanë nivele të mira likuiditeti dhe kapitalizimi, duke ruajtur kapacitetet e nevojshme për të përmbushur detyrimet ndaj klientëve dhe për të vijuar financimin e ekonomisë. Gjatë takimit, Shella u ndal edhe te treguesit financiarë të sektorit bankar, duke veçuar raportin kredi-depozita, i cili sipas tij llogaritet aktualisht në rreth 50%.
Ky tregues nënkupton se për çdo 100 lekë depozita, bankat kanë dhënë rreth 50 lekë kredi, duke reflektuar një bazë të konsiderueshme financimi nga depozitat në raport me portofolin e huadhënies.
Sipas drejtuesit të AAB-së, nivelet e likuiditetit dhe kapitalizimit përbëjnë elemente të rëndësishme për qëndrueshmërinë e sistemit dhe aftësinë e tij për të përballuar nevojat e ekonomisë, edhe në kushtet e situatave të jashtëzakonshme. Kreu i AAB-së nënvizoi se mbrojtja e klientëve dhe punonjësve mbetet përparësia kryesore e bankave tregtare, ndërsa rikthimi i plotë i aktivitetit do të vijojë në përputhje me kushtet e sigurisë në secilën zonë.
“Jemi në koordinim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e tjera për marrjen e masave dhe vijimin e shërbimeve cilësore për qytetarët”, deklaroi Shella.
Ai theksoi se rrjeti bankar përbën një infrastrukturë thelbësore për ekonominë, pasi garanton kryerjen e pagesave, transfertave, administrimin e kursimeve dhe financimin e familjeve e bizneseve.
Pavarësisht dëmeve materiale, rikthimi gradual i degëve në funksion synon të kufizojë ndërprerjet e shërbimeve dhe të garantojë aksesin e qytetarëve në sistemin financiar.








