Alarmi bie. Hapim sytë, marrim telefonin dhe, shpesh pa e kuptuar, fillojmë të kontrollojmë gjithçka që ka ndodhur gjatë orëve që kemi qenë në gjumë. Një mesazh, një email, Instagrami, lajmet, pastaj një video tjetër. Pesë minuta mund të kthehen lehtësisht në njëzet.
Por pse është kaq e vështirë të mos e bëjmë?
Sipas ekspertëve, nuk bëhet fjalë thjesht për një zakon të keq. Telefoni bashkon disa mekanizma psikologjikë në të njëjtën kohë: kureshtjen, pritjen për një shpërblim, frikën se mos humbasim diçka dhe një sistem njoftimesh të krijuar për të na rikthyer vazhdimisht te ekrani.
Në mëngjes, truri kërkon informacion
Pas disa orësh pa telefon, ekrani na ofron menjëherë një seri përgjigjesh: Kush më ka shkruar? Çfarë ka ndodhur? A ka ndonjë lajm të rëndësishëm? Çfarë kam humbur?
Kjo është pikërisht ajo që e bën kontrollimin kaq tërheqës. Nuk e dimë çfarë do të gjejmë përpara se ta hapim aplikacionin.
Një mesazh mund të jetë i rëndësishëm, një tjetër krejt i parëndësishëm. Një njoftim mund të jetë një lajm i mirë, një koment, një email pune apo diçka që na shqetëson. Kjo paparashikueshmëri është pjesë e mekanizmit që e mban vëmendjen të lidhur me telefonin.
Problemi nuk është vetëm telefoni, por njoftimi
Një studim i publikuar në “Journal of Experimental Psychology” dhe i dokumentuar nga American Psychological Association ka treguar se edhe vetë marrja e një njoftimi mund të ketë kosto në vëmendje, edhe kur nuk e hapim telefonin. Studime të tjera kanë lidhur ekspozimin e shpeshtë ndaj njoftimeve me më shumë shpërqendrim dhe më pak përqendrim.
Kjo e bën mëngjesin veçanërisht interesant.
Në vend që të vendosim vetë se ku do të shkojë vëmendja jonë, telefoni mund të na e përcaktojë atë që në minutat e para të ditës.
Një email pune na fut menjëherë në modalitetin e detyrave. Një lajm shqetësues ndryshon humorin. Një mesazh kërkon përgjigje. Një video na çon te tjetra.
Dita nuk nis më me “Çfarë dua të bëj sot?”, por me “Çfarë po ndodh në telefonin tim?”.
Dhe pastaj vjen “vetëm edhe një video”
Rrjetet sociale kanë një avantazh të madh ndaj një gazete apo një reviste: nuk mbarojnë.
Një artikull ka një fund. Një gazetë ka faqen e fundit. Por një feed mund të vazhdojë pafundësisht.
American Psychological Association vëren se “infinite scroll” e bën më të vështirë shkëputjen nga platformat, veçanërisht te të rinjtë, ndërsa njoftimet janë krijuar në mënyrë që të tërheqin vëmendjen dhe të nxisin kalimin nga një aktivitet te tjetri.
Prandaj premtimi “do ta shoh vetëm për dy minuta” shpesh nuk ka një pikë të qartë ku mbaron.
Në mëngjes mund të hyjë edhe krahasimi
Një tjetër efekt është mënyra se si rrjetet sociale e vendosin jetën e të tjerëve përpara nesh që në fillim të ditës.
Dikush ka dalë për vrap. Dikush tjetër është me pushime. Një tjetër ka marrë një promovim. Një çift duket perfekt.
Ne, ndërkohë, mund të jemi ende në shtrat.
Sigurisht, rrjetet sociale nuk tregojnë të gjithë jetën e një personi, por vetëm atë pjesë që ai zgjedh të publikojë. Megjithatë, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtij versioni të kuruar të jetës së të tjerëve mund të ushqejë krahasimin social dhe ndjesinë se po humbasim diçka./Business Mag








