NGA AURORA SULCE
Më të arsimuara, më produktive, më të përgjegjshme, por më pak të punësuara dhe më pak të paguara. Është ky realiteti i një pjese të mirë të grave dhe vajzave në Shqipëri, ku balancat në tregun e punës lënë jashtë shumë prej tyre. Kjo nuk është një cështje vetëm e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut, por një humbje e madhe për ekonominë e vendit.
Studime të shumta ndërkombëtare kanë treguar se shoqëritë që garantojnë mundësi të barabarta për gratë dhe burrat arrijnë nivele më të larta të rritjes ekonomike, institucione më efikase dhe një demokraci më funksionale. Kjo fatkeqësisht nuk mund të thuhet për Shqipërinë.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e parë të këtij viti, niveli i punësimit të grave ishte 51.8% përkundrejt 64.4% të burrave. Një diferencë prej 12.6% që dëshmon se gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës.

Nga ana tjetër, gratë paguhen më pak se burrat për të njëjtin vend pune, një tjetër tregues i zhbalancimit të fortë të ekulibrave në tregun e punës dhe një faktor që ndikon në punësimin e tyre.
INSTAT raporton se diferenca gjinore në paga në Shqipëri është 4.9%. Në vitin 2024, (e dhëna e fundit zyrtare) një burrë paguhej mesatarisht 75.415 lekë, ndërsa për të njëjtën punë, një grua paguhej 72.681 lekë ose 2.734 lekë më pak.
“Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë 2026 tregojnë se gratë vazhdojnë të kenë një normë punësimi rreth 12 pikë përqindje më të ulët se burrat. Kjo do të thotë se problemi kryesor nuk është vetëm diferenca në paga, e cila për vitin 2024 ka qenë rreth 5%, por fakti që një pjesë e konsiderueshme e grave që përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë mbetet jashtë tregut të punës. Reduktimi i këtij hendeku do të rriste oferten e punës, produktivitetin dhe rritjen ekonomike të vendit”, shprehet Ines Nurja, ish drejtore e Përgjithshme e Institutit të Statistikave.
Sot gara mes grave dhe burra në ekonomi dhe jo vetëm, nuk është e barabartë. Ashtu si të pabarabarta janë dhe përgjegjësitë. Gratë duhet të kujdesen për mbarëvajtjen e shtëpisë, rritjen e fëmijëve dhe kujdesin më të afërmit. Një punë e papaguar, por që sipas një studimit të Un Ëomen, vlerësohet në rreth 324 mln euro në vit.
Sipas të njëjtit studim, gratë shqiptare kalojnë më shumë se pesë orë çdo ditë me punë të papaguar shtëpie. Në 22% të kohës gatuajnë pastrojnë dhe kujdesen për fëmijët dhe pjesëtarët e familjes. Kjo situatë ka ndikime të konsiderueshme financiare dhe ekonomike për gratë dhe për shoqërinë në përgjithësi.
“Një nga arsyet kryesore është se gratë vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësive të kujdesit për familjen dhe fëmijët. Kjo ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës. Pikërisht për këtë arsye, Dhoma Ekonomike e Gruas ka promovuar dhe mbështetur politikat familjare në vendin e punës, duke punuar me kompanitë anëtare për të krijuar mjedise më fleksibël dhe më mbështetëse. Kur bizneset investojnë në politika familjare, jo vetëm që rritet punësimi i grave, por përmirësohet edhe produktiviteti, besnikëria e stafit dhe performanca e kompanisë”, shprehet Antonela Hako, kryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas.
Por sa humbet ekonomia shqiptare nga disbalancat në tregun e punës përsa i përket nivelit të ulët të integrimit të grave dhe vajzave në të? Eksperti i njohur i ekonomisë, akademiku Adrian Civici argumenton se kostot aarijnë deri 12%- 20% të Produktit të Brendshëm Bruto.
“Barazia gjinore nuk është thjesht një çështje e të drejtave themelore të njeriut; ajo përbën një nga shtyllat më fuqishme të rritjes ekonomike afatgjatë dhe mirëqeverisjes së një vendi. Kur gratë marrin pjesë plotësisht në ekonomi dhe në vendimmarrje politike, shoqëritë pësojnë një transformim strukturor pozitiv.
Mosaktivizimi i grave në tregun e punës përfaqëson një kosto të lartë oportune për çdo ekonomi. Integrimi i tyre sjell disa avantazhe: 1) Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB): Sipas studimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të rrisë PBB-në globale me mesatarisht 12% – 20%. Në vendet në zhvillim, ky ndikim është akoma më i lartë; 2) Diversifikimi dhe Produktiviteti: Hulumtimet makroekonomike tregojnë se gratë dhe burrat sjellin aftësi dhe perspektiva komplementare në tregun e punës. Ky “efekt komplementariteti” rrit produktivitetin total të faktorëve dhe nxit inovacionin në ekonomi; 3) Zbutja e Krizave Demografike: Në shoqëritë që përballen me plakje të popullsisë dhe emigracion,rritja e shkallës së aktivizimit të grave në tregun e punës është mekanizmi kryesor për të ruajtur qëndrueshmërinë e skemave të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore; 4) Efekti i Multiplikatorit Social: Gratë priren të investojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre drejtpërdrejt në arsimimin, shëndetin dhe ushqyerjen e fëmijëve. Ky investim në kapitalin njerëzor të gjeneratës së ardhshme krijon një cikël virtuoz zhvillimi ekonomik afatgjatë”, shpjegon Civici.
E nëse të gjithë nuk kontribuojnë njësoj dhe kur një potencial i madh, si ai i grave mbetet jashtë, ekonomia nuk ka si të jetë e fortë dhe as e shëndetshme. Diferencat gjinore përkthehen në humbje financiare dhe ekonomike, jo vetëm për gratë dhe vajzat apo familjet e tyre, por për të gjithë ekonominë.
“Nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa folur për pjesëmarrjen e grave në ekonomi. Një ekonomi është më e fortë, kur të gjithë kanë mundësi të kontribuojnë në të dhe vecanerisht, kur gratë kanë të njëjtat mundësi për të ndërtuar një biznes, për të marrë vendime dhe për të udhëhequr. Përvoja ka treguar se kur grave u jepen mundësi të barabarta për të konkurruar dhe për të udhëhequr, bizneset bëhen më të forta, vendimmarrja më e balancuar dhe rezultatet më të qëndrueshme”, argumenton Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.
Ekspertët argumentojnë se potenciali i grave dhe i vajzave është i pashfrytëzuar jo vetëm në ekonomi, por edhe në vendimarrje dhe politikë, cka sipas tyre, do të ndikonte në përmirësimin e qeverisjes dhe uljen e korrupsionit.
Sipas të dhënave zyrtare, niveli i përfaqësimit të grave në parlament gjatë vitit 2024 është 35,7 %. Kjo përqindje është ndjeshëm më e ulët në pushtetin vendor, aty ku kontaktet me komunitetin janë më të drejtëpërdrejta. INSTAT raporton se në zgjedhjet vendore të vitit 2023, në përbërje të listave me kandidatë për kryetar bashkie vetëm 10.4 % ishin gra. Ndërkohë që kandidate gra fituese për kryetar bashkie ishin 13,1 %.

“Pjesëmarrja e grave në nivelet vendimmarrëse ndryshon natyrën dhe cilësinë e qeverisjes: 1) Ulja e Korrupsionit dhe Rritja e Transparencës: Ekziston një korrelacion i fortë dhe empirikisht i provuar midis pranisë së grave në politikë dhe niveleve më të ulëta të korrupsionit. Gratë në poste publike shpesh mbështesin reforma që rrisin llogaridhënien dhe sundimin e ligjit; 2) Përmirësimi i Alokimit të Burimeve Publike: Ndryshimi i profilit gjinor të vendimmarrësve sjell një riorientim të buxhetit publik. Qeveritë me përfaqësim më të lartë të grave priren të investojnë më shumë në: Sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale; Arsimin publik dhe infrastrukturën mbështetëse (çerdhe, kopshte); Politikat e mbrojtjes së mjedisit dhe qëndrueshmërisë.3) Stabiliteti Politik dhe Menaxhimi i Konflikteve: Proceset e paqes dhe marrëveshjet politike ku gratë janë pjesë e negociatave rezultojnë të jenë më afatgjatë dhe më të qëndrueshme. Përfshirja e tyre nxit konsensusin dhe zbut polarizimin politik”, shprehet Civici.
Situata mes burrave dhe grave paraqitet e zhbalancuar edhe në biznes. Edhe pse vitet e fundit, është rritur numri i vajzave dhe grave që drejtojnë apo janë pronare të kompanive private, ato janë dukshëm në minorancë kundrejt burrave. Ndrëkohë që rezulton se gratë dhe vajzat administrojnë biznese të vogla me një numër të ulët të punësuarish, cka është një tjetër tregues se biznesi dhe paraja mbeten domen i burrave.
Sipas të dhënave të INSTAT, gratë menaxhojnë/zotërojnë vetëm 31.6% të ndërmarrjeve aktive gjithsej, kundrejt 68.4% që zotërojnë burrat. Kundrejt vitit 2024, rritja e numrit të bizneseve të grave është rritur me një normë thuajse e papërfillshme, prej vetëm 0.2%.
Statistikat e detajuara tregojnë se aktivitetet “Tregti” dhe “Shërbime të tjera” shënojnë pjesëmarrjen më të lartë të grave në vendimmarrje, respektivisht me 34.3% dhe 41.2%. Ndërkohë që ndërmarrjet e drejtuara nga gratë kanë kryesisht 1- 4 të punësuar.

Por përse në botën e biznesit ka më pak gra se burra?
Antonela Hako, kryetare e Dhomës Ekonomikë Gruas, njëherazi një nga sipërmarëset kryesore në Shqipëri rendit vështirësitë që has një grua në botën e “egër” të biznesit.
“Nga përvoja jonë në Dhomën Ekonomike të Gruas, sfida nuk është mungesa e potencialit apo aftësive të grave. Përkundrazi, ne përfaqësojmë gati 200 biznese të drejtuara nga gra që çdo ditë dëshmojnë aftësi të jashtëzakonshme lidershipi dhe sipërmarrjeje. Megjithatë, gratë vazhdojnë të përballen me barriera shtesë, si probleme te pazgjidhura ne barazi tek prona e për pasojë, aksesi më i kufizuar në financim, rrjete biznesi dhe balancimi i përgjegjësive familjare me ato profesionale. Këto faktorë ndikojnë që më pak gra të ndërmarrin hapin drejt sipërmarrjes ose të rrisin bizneset e tyre në të njëjtin ritëm me burrat”, shprehet Hako.
Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi argumenton se situata bëhet edhe më e vështirë për gratë dhe vajzat në zonat rurale, ku mundësitë për biznes apo për punësim janë edhe më të pakta.
“Ky realitet nuk ishte pasojë e mungesës së ideve për biznes apo e paaftësisë për të udhëhequr, por kufizohej nga: mungesa e njohurive; mungesa e kapitalit për të investuar; mungesa e informacionit dhe njohurive për t’u financuar nga institucionet financiare; ekzistenca e paragjykimeve dhe mungesa e kohës, pasi gruaja ka një mision fisnik: përkujdesjen ndaj anëtarëve të familjes; mungesa e politikave mbështetëse qeveritare. Gjithashtu, është edhe risku financiar. Meshkujt janë ata që marrin më shumë risk, ndërsa femrat në përgjithësi tregohen më të kujdesshme në vendimmarrjen financiare dhe preferojnë të operojnë në një mjedis më të sigurt. Të gjitha këto kufizime sot janë zvogëluar ndjeshëm, pasi mundësitë dhe informacioni janë më të mëdha se më parë. Megjithatë, gratë në zonat rurale përballen ende me probleme, veçanërisht me mungesën e pavarësisë financiare”, argumenton Radonshiqi.
Që gratë ia kanë dalë shumë mirë në biznes, pavarësisht situatës së vështirë, e pranojnë edhe vetë burrat sipërmarës. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve shpjegon se potenciali i grave dhe vajzave në biznes duhet shfrytëzuar për ta futur ekonominë në një ritëm tjetër zhvillimi.
“Në shumë raste, gratë sipërmarrëse kanë treguar se sjellin integritet, këmbëngulje, kreativitet dhe një qasje afatgjatë ndaj zhvillimit të biznesit, duke evituar krijimin e fenomeneve të dështimit, për shkak të mungesës së analizës së riskut. Ato krijojnë vende pune, gjenerojnë të ardhura për familjet dhe komunitetet e tyre dhe kontribuojnë në një ekonomi më të qëndrueshme. Barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë; ajo ka të bëjë me shfrytëzimin e plotë të potencialit që ekziston në një vend. Sa më shumë mundësi të kenë gratë për të realizuar idetë dhe ambiciet e tyre, aq më të mëdha janë mundësitë për zhvillim ekonomik, inovacion dhe mirëqenie për të gjithë”, shprehet Shkodra.
Në kushtet e një emigrimi që vijon në mënyrë të pandalur vitet e fundit, ku kosto e jetesës bëhet gjithmonë e më shtrenjtë dhe mundësitë për të gjeneruar të ardhura më të pakta, pesha e ekonomisë dhe financave nuk duhet të anojë vetëm tek burrat. Një ekonomi “e zgjuar” është ajo që në periudha krize, gjen mundësi dhe shfrytëzon potencialet e saj. Sot Shqipëria ka potencial të pashfrytëzuar gratë dhe vajzat dhe sfida është për t’i nxjerrë ato nga brenda mureve të shtëpisë dhe për t’i integruar në tregun e punës, vendimarrje dhe biznes.







