Fenomeni i rrjeteve sociale, njëherësh reperi Kleviol Ahmeti në javën e kaluar është arrestuar nga policia në Lushnje, pasi e ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpiak”.
Një ditë para arrestimit, ai ishte përfshirë në një përleshje fizike me reperin Noizy në Durrës, prandaj u vendos në pranga pasi në momentin e ngjarjes duhej të ishte në arrest shtëpie.
Ai ka qenë i arrestuar për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’, ndërsa arrestimi i 36–vjeçarit ka ndodhur për shkak të “largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Për gjithë situatën e krijuar, në emisionin ‘Ditë pas dite’ në RTSH ka qenë i ftuar avokati i reperit, Ndue Pjetra, për të shpjeguar se veprat penale për të cilat akuzohet janë – sipas tij – “një gram hashash” (‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’) dhe “dy thika që i ka blerë në dyqan” (‘Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’).
Gjithmonë sipas avokatit, për këtë Gjykata e Lushnjës e ka lënë në burg (“arrest me burg”) deri në përfundimin e hetimeve dhe Gjykata e Apelit pasi kanë mbaruar hetimet e ka kthyer në arrest shtëpie.
“Nga arresti i shtëpisë ky vuan… ka kaluar në gjendje depresive. I ka rënë të fikët dhe i ka kërkuar ndihmë prokurorisë, i ka thënë se është në gjendje të keqe dhe i ka thënë se duhet të shkojë të vizitohet dhe t’i marrë ilaçet që duhen marrë. Prokuroria normalisht, pothuajse e ka pranuar, gjysmë pranimi një fakt dhe ka shkuar. Duke u kthyer, ka ndodhur ajo që ka ndodhur…”.
Lidhur me incidentin me Noizyn dhe pse kishte shkuar te lokali i tij, avokati ka thënë se kishte shkuar t’i kërkonte falje për ato që kishte thënë dhe më pas është sulmuar nga Rigels Rajku dhe ekipi i tij.
“Duke u kthyer, sipas atyre bisedave, sepse ne nuk kemi një fakt të mirëfilltë, ai ka kaluar aty dhe për t’i kërkuar falje lidhur me një sharje që i ka bërë… Në atë moment, ata nuk kanë pretenduar fare, mezi kanë pritur dhe e kanë goditur”, ka thënë Pjetra duke shtuar se çështja me Noizyn tashmë është e mbyllur.
Tutje, sipas avokatit, Cllevio është i rënduar nga keqtrajtimi në burg dhe se para incidentit, i kishin mbetur vetëm edhe disa ditë për t’u liruar. Dhe se arrestimi për largim nga vendi i qëndrimit ka pasur të bëjë me largimin e tij drejt spitalit dhe prokurorisë.
“Unë po ju them po jua deklaroj se vepra penale për të cilën ai sot është në burg, është zero. S’ka asnjë lidhje me qëndrimin e tij në burg. Se kush investon, atëherë na duhet më mirë që të merren informacionet e tjera”, ka deklaruar Pjetra.
Avokati ka përsëritur edhe një herë se çështja me Noizyn është e mbyllur dhe se nuk ka denoncim ndërmjet palëve, ndërsa për pamjet, sipas avokatit, mund të thonë “se ishte një skenë filmike”.bw