Një urim prekës vjen së fundmi nga mjekja e Spitalit Infektiv Nevila Gjermeni.
Prej më shumë se 40 ditësh tashmë larg fëmijëve, ajo dhe bashkëshorti gjenden në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.
Si kategoria më e rrezikuar, mjekët nuk kanë asnjë kontakt fizik me familjen.
Mirëpo për mjeken e njohur sot është një ditë mjaft e vecantë, pasi i biri feston ditëlindjen.
Edhe pse larg tij, ajo ka zgjedhur ta surprizojë në mënyrën më të bukur në këto kushte, me telefonatë shoqëruar me video.
Fjalët që ajo i dedikon janë me të vërtetë shumë prekëse.
“Epo të paktën kjo ishte një ditëlindje ndryshe. Asnjëherë më parë nuk i kishin kënduar ‘Shumë urime për ty’ përmes një video-calli mjekë e infermierë, të Spitalit Infektiv. Bjon, dielli im u bëfsh edhe 100!”, shprehet mjekja e njohur.
Kujtojmë se përpara disa ditësh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shkruante për mjeken Gjermeni dhe burrin e saj, se çifti kishin 40 ditë që nuk i kishin parë fëmijët.