Një shprehje e urtë e popullit shqiptar thotë ‘se ujku mjegull do për të bërë kërdinë’. Dhe duket se kjo shprehje mund t’i përshtatet më së miri bashkisë Tiranë. Kjo e fundit ka lajmëruar çeljen e një tenderi vërtet të frikshëm, për të blerë 56 arkivole për fëmijë që mund të humbasin jetën për shkak të koronavirusit të ri COVID-19.
Në dokumentin zyrtar të bashkisë së kryeqytetit porosia në total është për 136 arkivole.
Ky hap i bashkisë vjen pas zotimit të kreut të saj që para pak ditësh deklaroi se për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që do humbasin jetën nga COVID-19, shpenzimet mortore do të mbulohen nga bashkia.
Deri në këtë pikë nuk ka asnjë problem, madje është një nismë për t’u përshëndetur e bashkisë.
Por ajo që të tmerron është pritshmëria e bashkisë së Tiranës për të pasur 56 fëmijë të vdekur nga koronavirusi, kur në të gjithë botën rastet e fëmijëve dhe adoleshentëve që kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve që shkakton ky virus, numërohen me gishtat e dorës. Pra nga 184 mijë viktimat e deritanishme në gjithë botën që kanë humbur jetën pasi janë prekur nga COVID-19, fëmijë dhe adoleshentë janë më pak se 10 (dhe ata që e kanë humbur jetën kanë pasur semundje të rënda kronike).
Me këtë parashikim që ka bërë bashkia e Tiranës dhe shifrat që na vijnë nga bota, në Tiranë duhet të vdesin më shumë se 900 mijë njerëz dhe nga ata do të ishin 56 fëmijë.
Kjo është një llogaritje ndoshta naive, pasi kuptimi i këtij tenderi mund të jetë më i thjeshtë, vjedhje. Pra mjegulla e fjalës së urtë shqiptare në këtë rast është koronavirusi dhe ujku është bashkia e Tiranës.
Por ajo që frikëson më tepër në këtë rast është mënyra se si po tentohet të bëhet kjo vjedhje, me arkivole fëmijësh.