Duket se presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe kanë vendosur të bashkohen në një mendim për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID19.
Kështu, në një konferencë përballë gazetarëve të pak minutave më parë, Meta njoftoi se ka dekretuar ndryshimet e Kodit Penal lidhur me masat kundër përhapjes së koronavirusit dhe ka shprehur hapur mbështetjen që ai i jep qeverisë në lidhje me këtë nismë, pavarësisht kritikave që ka bërë edhe më herët.
“Shpallja e ligjit u cilësua e nevojshme për arsye se kohëzgjatja apo pasojat e përsëritjes së një situate të tillë mbeten të paparashikuara,.
Kam ndjekur shqetësimet për ndryshimet për kodin penal, shmangia e procedurave nuk është vetëm një kërkesë normale kushtetuese, përkundrazi është një kërkesë kushtetuese që kërkon një konsultim të gjerë dhe shterues. Ndaj Presidenca iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsesnus për kodin penal.
Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë nattyrore Presidenti vlereson se inciativa e Kuvendit dhe qeverisë për mbrojtjen e shëndetit publik, duhet mbështetur”, tha Presidenti ndërsa shtoi se në ndryshimet e kodit penal janë marrë parasysh propozimet nga avokati i popullit por edhe Presidenti.
DEKLARATA E PLOTE E PRESIDENTIT ILIR META
Si Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar shpalljen e ligjit nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme.
Kam ndjekur nga afër shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.
Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe seanca plenare.
Përkundrazi, është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultim dhe konsensus të gjerë.
Ndaj dhe Institucioni i Presidentit të Republikës, iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë, për ndryshimet në Kodin Penal.
Diskutimi i gjerë tekniko- juridik, ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit të votuar nga Kuvendi.
Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, por mbi të gjitha, për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal sa i përket trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimin kriminal për përhapjen e sëmundjeve infektive, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe Qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale, përpos atyre administrative, duhet mbështetur.
Presidenti i Republikës konstaton se mes draftit të propozuar nga deputetët, atij të miratuar në Komisionin përgjegjës për çështjet ligjore, dhe përmbajtjes së ligjit nr. 35/2020 të miratuar në seancë plenare, ka ndryshime thelbësore pozitive, të cilat kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, shoqërisë civile, ekspertëve të së drejtës dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, që lidheshin veçanërisht me:
– Llojin dhe masën e dënimit penal në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike;
– Qartësimin e veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale;
– Aplikimin e sanksionit penal, në mënyrë të përshkallëzuar, vetëm pasi të jetë aplikuar më parë sanksioni administrativ;
– Përcaktimin në mënyrë të qartë të përgjegjësisë penale në rastin e përhapjes së sëmundjes infektive të përfshirë në listën e sëmundjeve infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin sipas ligjit të posaçëm, vetëm për veprime të kryer me dashje dhe nga personat e diagnostifikuar si mbartës të saj;
– Saktësimin e rrethit të subjekteve, duke bërë që norma penale të aplikohet vetëm mbi:
personat “që janë paralajmëruar më parë me një masë administrative për respektimin e masave”,
personat “e diagnostifikuar si mbartës”, apo
për personat “të cilëve u është njoftuar detyrimi i zbatimit të urdhërimeve nga organet kompetente”.
Këto përmirësime thelbësore të dispozitave, që kanë ulur dukshëm masat e dënimit si dhe evidentuar më qartë elementët dhe format e konsumimit të këtyre dy figurave të veprave penale, respektojnë më shumë parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës vlerëson se është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal:
• Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, duhet të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejtë me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal;
• Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare;
• Fushata e informimit duhet të përfshijë edhe normat e reja penale;
• Pushteti vendor dhe Qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t`iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave jetësore të shtresave më në nevojë dhe pensionistëve të cilëve u është kufizuar totalisht liria e qarkullimit;
• Njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostifikuar, karantinuar apo izoluar, dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të kontaktit, duhet të jetë i dokumentuar.
Rritja e numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i vazhduar i Qeverisë.
Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është i domosdoshëm, për hartimin e udhëzimeve integrale që do të orientojnë Policinë e Shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Miratimi i këtyre udhëzimeve dhe publikimi i tyre, duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto momente.
Presidenti i Republikës mirëpriti edhe ndryshimet e tjera në Kodin Penal që trajtojnë dhunën në familje, në të gjitha format e shfaqjes së saj, ndërkohë që shihet me rezervë riformulimi jo i qartë sa i takon një pjese të rrethit të subjekteve të shtuar në dispozitën e dhunës në familje.
Presidenti i Republikës gjen dhe një herë rastin t`u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë me durim dhe përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale.
Po kështu, gjej rastin të theksoj rëndësinë e rritjes së transparencës në menaxhimin e pandemisë dhe rëndësinë e përkujdesjes për shtresat më të prekura nga kufizimet dhe pasojat ekonomike e sociale.
Vetëm përmes një bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe qytetarëve, do të jemi më të sukseshëm në kapërcimin e kësaj fatkeqësie natyrore.